Sigal Prishtina dhe Golden Eagle Ylli i kanë fituar ndeshjet e xhiros së gjashtë të Ligës Unike – Grupi B.
Prishtinasit të mërkurën mbrëma në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, mposhtën skuadrën e Tiranës 77:63, ndërsa suhaekasit triumfuan ndaj Vllaznisë së Shkodrës, 81:70, në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.
Adrian Ibishi ishte më i miri te Sigal Prishtina me 12 pikë, dhjetë kërcime e një asistim. 12 pikë i kishin edhe Muhamedali Janjeva dhe Dion Sheqiri.
Te Tirana lojë të mirë pati Richard Lilaj me 10 pikë, nëntë kërcime e tri asistime.
Ndërkohë, në fitoren me 11 pikë dallim të Golden Eagle Yllit, statistikat më të mira i pati qendra Lis Shoshi me 20 pikë, tetë kërcime e një asistim.
Golden Eagle Ylli dhe Sigal Prishtina kanë siguruar “Final 4” të Ligës Unike, pasi zënë dy pozitat e para me nga dhjetë pikë, pas katër fitoreve e dy humbjeve.
Vllaznia dhe Tirana në vendin e tretë e të katërt mbetën me nga tetë pikë.