Basketboll

Fitore e vështirë e Trepçës në “Minatori”

Kapiti

Kampionia në fuqi e Superligës së Kosovës në basketboll, Trepça, ka shënuar fitore të vështirë të shtunën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. 

Trepça ka fituar ndaj Vëllaznimit me rezultatin e ngushtë, 63:59. 

Kjo ndeshje i takoi javës së 24-t të elitës së basketbollit kosovar. 

Vëllaznimi e filloi më mirë ndeshjen duke e fituar çerekun e parë me rezultatin 20:8. 

Edhe pjesa e parë u mbyll në të mirë të mysafirëve me rezultatin 37:25. 

Trepça në çerekun e tretë u afrua në gjashtë pikë, 51:45 kurse fitoren e arriti në çerekun e fundit. 

Më i dalluari te vendësit ishte Drilon Hajrizi me 14 pikë, nëntë kërcime dhe tri asistime. 

Ndërsa te Vëllaznimi u shqua Arian Azemi me 17 pikë, pesë kërcime dhe gjashtë asistime. 

Trepça mbetet në pozitën e dytë me 40 pikë. 

Vëllaznimi ka 35 pikë në vendin e katërt.