Sigal Prishtina ishte në epërsi 29:20 pas çerekut të parë. Por në fund Peja e fitoi thellë ndeshjen e së dielës mbrëma në palestrën “Karagaçi”.
Derbin e dytë të xhiros së 26-të të Superligës së Kosovës në basketboll, Peja e fitoi me plot 30 pikë dallim, 100:70.
Pas pjesës së parë Prishtina kishte epërsi prej dy pikëve, 42:40. Çereku i tretë përfundoi 27:19 për Pejën, që “shkatërroi” Prishtinën në çerekun e katërt, 33:9.
Qendra Benas Griciunas ishte më i dalluari te Peja me 18 pikë, 11 kërcime e tri asistime. Darryl Morsell i kishte 15 pikë, ndërsa Tristan Ipke e përfundoi ndeshjen me 10 pikë e tetë kërcime. Dardan Berisha shtoi 17 pikë e katër asistime, ndërsa Marquez Towns i kishte 18 pikë e pesë asistime.
Te Prishtina, Rashid Mahalbashiq i kishte 10 pikë e 13 kërcime. Muhamedali Janjeva i realizoi 12 pikë e 13 kërcime, ndërsa Ricky Tarrant i kishte 13 pikë.
Peja i ka 40 pikë në vendin e katërt, dy xhiro para fundit. Bilanci i skuadrës pejane është 14 fitore e 12 humbje. Prishtina mbetet e treta me 42 pikë.