Golden Eagle Ylli e mposhti Pejën në kuadër të xhiros së 11-të e më pas fitoi ndaj Bashkimit në Prizren në kuadër të xhiros së 12-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Por dështoi të fitojë ndaj Vëllaznimit në Suharekë, të dielën mbrëma në ndeshjen e fundit të xhirois së 13-të të elitës së basketbollit kosovar.
Pritej që suharekasit të vazhdonin me fitore, por ide të tjera kishin lojtarët e ekipit gjakovar. E imponuan lojën e tyre dhe festuan në fund fitoren 60:48. Vëllaznimi i është revanshuar Yllit për humbjen që ia kishte shkaktuar në Gjakovë në kuadër të xhiros së gjashtë.
Çereku i parë i takoi gjakovarëve me rezultatin 18:13. Rezultati ishte i njëjtë edhe në çerekun e dytë, sërish në të mirë të Vëllaznimit. Vetëm periudha e tretë ishte e Yllit, 14:11. Vendasit nuk ndalën përpjekjet, por pa rrezikuar asnjëherë dypikëshin e Vëllaznimit, që çerekun e katërt e fitoi 13:8. Kështu fundi i ndeshjes ishte i qetë e pa ndonjë emocion.
Jericole Hellems ishte më efikasi te Vëllaznimi me 16 pikë. Ai i kishte edhe 12 kërcime, por kishte edhe shumë gjuajtje të humbura e po ashtu topa të humbur. Trey Anderson i realizoi 13 pikë, ndërsa shtoi shtatë kërcime.
Statistikat më të mira i kishte Jason Jitoboh, që ndeshjen e përfundoi me tetë pikë e pesë kërcime.
Nga tetë pikë i shënuan edhe Don Polloshka e Antwan Walker.
Nuk kishte ndonjë lojtar që u dallua te Ylli. Jalen Nesbitt e përfundoi takimin me 10 pikë, gjashtë kërcime e gjashtë topa të rrëmbyer. William Tavares ishte më efikasi me 17 pikë, kurse i shtoi katër kërcime.
Plot 20 kërcime i kishte Hasahn French, që realizoi vetëm katër pikë. Malcolm Armstead i kishte 11 pikë e pesë kërcime.
Ylli është i katërti me shtatë fitore e gjashtë humbje, përkatësisht me 20 pikë. Gjashtë fitore e shtatë humbje i ka Vëllaznimi, që renditet i pesti me 19 pikë.
Në tabelë udhëheq Trepça me 23 pikë, një më shumë se Bashkimi. Peja i ka 20 pikë, sa edhe Ylli.