Basketboll

Finale spektakolare e maratonës basketbollistike

Trepça dhe Golden Eagle Ylli

Të enjten mbrëma nis finalja e një edicioni “maratonik” të basketbollit kosovar. Dhe finalja premtohet të jetë spektakolare. Do të nisë në “Minatori”, palestrën e zjarrtë e të mbushur me shikues gjatë gjithë edicionit.

Trepça e Golden Eagle Ylli takohen në finalen e plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll. Skuadra që i shënon tri fitore shpallet kampione. Ndeshja e parë zhvillohet prej orës 19:00.

Superliga është gara kryesore në basketbollin kosovar, por jo e vetmja. Skuadrat kanë pasur një edicion shumë të gjatë e shumë të ngarkuar. Pos në Superligë, Trepça është paraqitur edhe në FIBA Europe Cup, në turneun e Superkupës, të Kupës dhe në Ligën Unike. Në FIBA Europe Cup arriti në fazën grupore, ndërsa Superkupën, Kupën dhe Ligën Unike i ka fituar.

Rrjedhimisht Trepça llogaritet favorite edhe për titullin e kampionit. Trepça nuk është shpallur kampione e Kosovës që nga viti 2012, ndërsa ka katër tituj gjithsej. Vjet u mposht në finale nga Peja.
Gjatë gjithë stinorit, pa llogaritur garat evropiane, Trepça i kishte vetëm tri humbje. Dy prej tyre nga Golden Eagle Ylli. 

Në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, Ylli kishte fituar në Mitrovicë me rezultat 71:68. Më pas “xehetarët” kishin rreshtuar 20 fitore në kampionat. Këtë seri impresive e kishte ndërprerë pikërisht Ylli, me fitoren 81:79 në Suharekë, në kuadër të xhiros së fundit të stinorit të rregullt. Ajo ndeshje ishte zhvilluar në fillim të prillit.

Ylli i Suharekës nuk ka luajtur në Evropë, por është paraqitur në të gjitha garat e tjera ku triumfoi Trepça. Arriti në finale të Ligës Unike, ku u mposht nga Trepça për një pikë, në fundin dramatik.
Deri në finale Ylli ka pasur rrugë më të gjatë e më të vështirë. Si i treti në pjesën e rregullt të kampionatit, Ylli nisi në çerekfinale, ku eliminoi Bashkimin me rezultatin 2:0 në ndeshje. Në gjysmëfinale, Ylli vetëm pas ndeshjes së pestë e eliminoi Pejën. 

Trepça ndërkohë, si e para e stinorit të rregullt, çerekfinalen e kaloi pa  lojë. Në gjysmëfinale fitoi bindshëm, 3:0, ndaj Prishtinës.

Trepça ka pasur dhjetë ditë në dispozicion për ta përgatitur finalen e parë. Dhe mitrovicasit janë gati.

“Presim ndeshje të vështirë, luftë të vërtetë sportive në të dy anët e fushës. Të dy skuadrat duan të vendosin herët ritmin në nismë të kësaj serie. Ne jemi të entuziazmuar që paraqitemi nesër në Mitrovicë”, ka thënë fundori i Trepçës, Darnell Edge. 

Ai është prej lojtarëve më të rëndësishëm të Trepçës. Ka vendosur shumë ndeshje, sidomos në fazën finale të kampionatit.

Ylli nuk ka pasur kohë për pushim dhe rrjedhimisht është në ritëm të ndeshjeve të forta. Mbetet të shihet nëse kjo do të jetë përparësi apo jo.

Skuadra suharekase është rritur goxha shumë pas ardhjes së trajnerit nga Mali i Zi, Petar Mijoviq.

Ndërkohë Trepçën e udhëheq nga fillimi i edicionit, Adis Beqiragiq.
Jan Palokaj, njëri prej lojtarëve bartës tek Ylli, pret ndeshje të vështirë të enjten mbrëma.

“Mendoj që ndeshja e parë për ne do të jetë shumë e vështirë, pasi vijmë katër ditë pas fitores ndaj Pejës. Do të shohim nëse jemi rikuperuar së pari mentalisht nga seria gjysmëfinale”, ka thënë Palokaj.

Ai ka respekt për Trepçën.

“Për Trepçën nuk ka pse të flitet shumë. Ka shfaqur më së shumti nga të gjitha ekipet në pjesën e rregullt të kampionatit  dhe me ndihmën e tifozëve të saj sigurisht që hynë si favorite në finale. Ne vazhdojmë të luajmë lojën tonë që na solli deri në finale dhe do të japim më të mirën në tentim për ta fituar finalen e parë”, ka shtuar Palokaj.

Për fituesin do të vendosë paraqitja në parket, ndërsa tashmë është e sigurt që ndeshja do të zhvillohet në palestër të stërmbushur me shikues.