Basketboll

Fenerbahçe me vendim të papritur pas “provokimit” nga trajneri i njohur

Ergin Ataman

Skuadra turke e basketbollit, Fenerbahçe, ka njoftuar se do të refuzojë të lirojë lojtarët e saj që të grumbullohen me përfaqësuese, pasi selektori Ergin Ataman shfaqi përkrahje për rivalin e madh në futboll, Galatasarayn.

58-vjeçari Ataman është prej emrave më të njohur në sportin turk. Ai është në krye të përfaqësueses së Turqisë nga viti 2022, ndërsa prej vitit të kaluar e udhëheq edhe klubin e madh grek, Panathinaikos.
Gjatë një ndeshjeje miqësore në mes të Panathinaikosit dhe Galatasarayt, të martën, Ataman ngjalli reagime të shumta me një veprim publik. Ataman është i njohur si tifoz i Galatasarayt.

Ai fillimisht ngriti një gisht e më pas tre gishta, duke iu referuar rezultatit nga ndeshja e së shtunës së kaluar. Në kuadër të Superligës në futboll, Galatasary fitoi 3:1 ndaj Fenerbahçes.

Ataman udhëhoqi Panathinaikosin drejt titullit të Euroligës në edicionin e kaluar, që është trofeu kryesor evropian në basketboll. Ai kërkoi falje për festën e “paplanifikuar” dhe ka thënë se “përfundimisht nuk ka synuar të ofendojë asnjë komunitet”.

“Jam trajner që shfaq respektin tim për komunitetin Fenerbahçe në çdo mundësi që kam. Por jam njëri nga rivalët më të mëdhenj të këtij komuniteti në fushë”, ka thënë trajneri i njohur turk.

“Jam i vetëdijshëm për shqetësimin që shkaktuan në komunitetin e Fenerbahçes veprimet e mia. Do të doja të shpreh keqardhjen time të sinqertë për perceptimin që u krijua në një mënyrë që nuk e doja”.

Fenerbahçe u përgjigj duke thënë se nuk do të lejojë asnjë prej lojtarëve të skuadrës që të luajë për Turqinë për sa kohë që Ataman është në postin e selektorit.

“Ajo që bëri në sytë e miliona shikuesve është plotësisht e kundërt me dinjitetin dhe identitetin që duhet të paraqesë pozita e selektorit të ekipit nacional”, ka thënë Fenerbahçe në një komunikatë.

Klubet e futbollit e basketbollit në Turqi funksionojnë në kuadër të organizatave të njëjta. 

“Ekipi nacional na takon të gjithë neve. Secili individ që është pjesë e këtij ekipi duhet të veprojë me vetëdije dhe me përgjegjësi. Kjo sjellje, e bërë si përpjekje për të atakuar një komunitet, është mosrespekt i madh për komunitetin tonë, për dinjitetin e pozitës së trajnerit të ekipit nacional e madje edhe për vendin tonë”, ka shkruar Fenerbahçe.

Turqia luan me Hungarinë në kualifikimet për Eurobasket më 22 e 25 nëntor.

Rivaliteti mes Fenerbahçes dhe Galatasarayt është shumë i theksuar. Shpesh kalon edhe nivelet sportive. 

Atamani ka drejtuar Galatasarayn prej vitit 2012 e deri në vitin 2017. Si trajner është shumë i suksesshëm. Ka fituar tri herë Euroligën.