Pas stinorit vjeshtor solid dhe lëkundjeve në formë në pranverë, thuajse askush nuk e ka llogaritur Golden Eagle Yllin sa i takon garës për titull të kampionit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Ylli vazhdon të mbetet i gjashti në tabelë. Është në pozitën e fundit që dërgon në plejof. Por gjasat për sukses tani vlerësohet se i ka dukshëm më të mëdha. Yllin e Suharekës e marrin të gjithë seriozisht pas serisë impresive të fitoreve.
Në fillim të marsit, Golden Eagle Ylli humbi në shtëpi nga Bora, 73:67. Dhe më pas rreshtoi fitoret ndaj katër skuadrave që vlerësohen me gjasa për ta fituar titullin e kampionit të Kosovës në basketboll. E mposhti fillimisht Trepçën me rezultat 82:74. Më pas fitoi në kryeqytet ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 85:62. 72:64 përfundoi ndeshja Ylli Peja, ndërsa të shtunën suharekasit fituan 84:78 ndaj Bashkimit në Prizren.
“Çelësi i lojës sonë të mirë është atmosfera e mirë në mesin e lojtarëve. Kur mungojnë shumë lojtarë për shkak të lëndimeve, e rëndësishme është që lojtarët që janë të shëndoshë të ofrojnë energji shtesë dhe kjo po vërehet te ne”, ka thënë basketbollisti Jan Palokaj. Ai është njëri prej basketbollistëve që erdhën gjatë këtij edicioni tek Ylli dhe që tani kanë gjetur formën më të mirë.
Fundori Derrick Wilson po ashtu po shfaq lojëra të mira, ndërsa përgjegjësi po merr edhe Artin Gashi. Lis Shoshi e Arian Qallakaj kanë ngritje në formë, ndërsa nuk mungon as kontributi i Malcolm Armsteadit e William Tavaresit. Gjithë këta bënë të mundur që ndaj Bashkimit të mos vërehet shumë mungesa e Jalen Nesbittit, që ishte më i miri në tri ndeshjet e kaluara. Për kohë të gjatë Yllit po i mungon kapiteni Gëzim Morina.
Deri në fund të stinorit të rregullt janë edhe dy xhiro. Në mesjavë Ylli e pret Vëllaznimin, ndërsa në fundjavë luan në udhëtim ndaj Proton Cable Prizrenit, që tashmë është pa gjasa për mbetje në Superligë.
Ylli i ka 39 pikë në vendin e gjashtë, sa edhe Vëllaznimi në të pestin. Peja është e katërta me 40 pikë. Varësisht edhe nga rezultatet tjera, Ylli është në garë për pozitën e katërt e po ashtu për pozitën e pestë. Por mund të mbetet edhe në vendin e gjashtë. Bora është e shtata dhe do të luajë në plejaut. Bashkimi, Trepça e Prishtina janë në tri pozitat e para.
Në fillim të muajit Ylli nuk e kishte të sigurt paraqitjen në plejof.
“Ishin në pozitë të vështirë. Një fitore na ka ndarë me Borën dhe ishim të mbështetur për muri. Besoj se kemi lojtarët me karakter, sidomos ata me përvojë si Wilson e Gashi, dhe kjo është arsye për formën tonë më të mirë. Synimi është të rrisim formën edhe më shumë dhe natyrisht që kur të na kthehen lojtarët e lënduar t’i përfshijmë sa më shpejt ata në lojë”, ka shtuar Palokaj.
Ai po luan me mesatare prej 17 pikëve, 5,1 kërcime e 3,7 asistimeve për ndeshje. Ishte i rëndësishëm tek Ylli edhe në edicionin e kaluar, ndërsa më herët luajti për Prishtinën.
Palokaj ende nuk e sheh Yllin favorit në garën për titull.
“Nuk mendoj se jemi favoritë për titull të kampionit. Të gjitha ekipet në Top-6 kanë pasur periudhë të mirë dhe të keqe në kampionat dhe kjo mund të ndryshojë shumë shpejt, sidomos në plejof. Ndonëse them se nuk jemi favoritë, të gjithë lojtarët besojnë që për shkak se jemi të bashkuar mund të arrijmë rezultat të mirë”, ka theksuar Jan Palokaj.
Slloveni me përvojë, Alesh Pipan, po e drejton Yllin. Pipan ka përvojë të gjatë dhe duket që ka gjetur mënyrën më të mirë të lojës në momentin më të duhur.