Basketboll

Edicioni i zbehtë i Ligës Unike përfundon me turneun final në Prishtinë

Liga Unike e basketbollit

Më 5 mars, Sigal Prishtina kishte pësuar 88:57 nga Vllaznia e Shkodrës në kuadër të xhiros së katërt të fazës grupore në Ligën Unike në basketboll. Prishtina në atë ndeshje ishte paraqitur me vetëm tetë lojtarë. Nuk e kishte asnjë të huaj në përbërje, ndonëse të tillë ka me bollëk.

Shumicën e të huajve, por edhe të vendorëve të rëndësishëm, i kishte pushuar edhe në humbjen 77:69 nga Tirana, më 11 shkurt. Dy ndeshjet e tjera me Vllazninë dhe Tiranën i ka fituar, ndërsa kishte përbërje gati komplete.

Prishtina në fund u rendit e dyta në Grupin B dhe do të luajë në turneun finale të Ligës Unike. Grupin B e fitoi Golden Eagle Ylli, që kishte dhjetë pikë, sa edhe Prishtina. Jashtë turneut final nga ky grup mbetën Vllaznia e Tirana.

Pikërisht Prishtina, që gjatë fazës grupore jo gjithnjë aktivizoi ekipin më të mirë, e organizon turneun final të Ligës Unike. Me turneun që zhvillohet të mërkurën e të enjten përfundon edicioni i zbehtë i ligës që përbëhet nga skuadra të Kosovës e Shqipërisë.

Dy prej skuadrave më të mira në Kosovë, Trepça e Peja, nuk garuan në këtë edicion në Ligën Unike. Skuadrat e tjera kosovare jo gjithnjë u janë përkushtuar maksimalisht ndeshjeve në këtë ligë. Ndërkohë nuk kanë luajtur fare mes vete. Për ndeshjet mes Yllit e Prishtinës në Grupin B dhe Vëllaznimit e Bashkimit në Grupin A, janë bartur rezultatet e ndeshjeve të Superligës së Kosovës.

Prej grupit A në turneun final u kualifikuan Vëllaznimi i Gjakovës dhe Besëlidhja e Leshës. Besëlidhja është skuadra e vetme e Shqipërisë në turneun final. Bashkimi i Prizrenit u rendit i treti në Grupin A, ndërsa Teuta e Durrësit e katërta.

Ndeshjen e fundit, Bashkimi e humbi 73:44 nga Teuta. Pasi ishte eliminuar më herët, për përballje me ekipin durrsak kishte dërguar ekipin U18. Kjo është një tjetër dëshmi e një edicioni të zbehtë.

Ndeshjet gjysmëfinale të “Final 4” të Ligës Unike janë të mërkurën. Prej orës 17:00 takohen Vëllaznimi e Golden Eagle Ylli, ndërsa prej orës 20:00 takohen Sigal Prishtina e Besëlidhja.

Të enjten prej orës 17:00 është ndeshja për vend të tretë, ndërsa prej orës 20:00 luhet finalja.

Ky është edicioni i katërt i Ligës Unike. Ndonëse ishte prezantuar si projekt madhor, kjo ligë deri më tani nuk kishte ndikimin dhe efektin e pritur.

Për shkak të nivelit më të lartë të basketbollit në Kosovë, deri më tani kanë dominuar plotësisht skuadrat kosovare. Njëjtë pritet të jetë edhe këtë edicion.

Te basketbollistet, turneu final u zhvillua në Vlorë. Titullin e fitoi Flamurtari i Vlorës, që në finale mposhti skuadrën Peja 03 me rezultat 72:62.