Basketboll

Darnell Edge tregon pse është e veçantë të luash për Trepçën

Darnell Edge

Fundori amerikan, Darnell Edge, shpërtheu në çerekun e katërt për ta udhëhequr Trepçën drejt fitores vendimtare ndaj Golden Eagle Yllit, 67:66, të enjten, në “Minatori”. Me atë fitore Trepça e fitoi titullin e kampionit të Kosovës në basketboll, që nuk e kishte fituar që nga viti 2012.

Edge, ndër të tjera, i realizoi pesë pikët e fundit në ndeshje. Gjithsej i kishte 15 pikë, gjashtë asistime, pesë kërcime e katër topa të rrëmbyer. Kishte statistikat më të mira te Trepça, ndonëse përballë e kishte lojtarin më të mirë të Yllit, Alonzo Verge Jr.

Edge pati vështirësitë e tij në ndeshje, por në momentet vendimtare shfaqi atë që pritej prej tij. Dhe në fund u shpall lojtari më i vlefshëm (MVP) i plejofit në Superligën e Kosovës.

Edge në nëntor i ishte bashkuar Trepçës, që rrëmbeu gjithë trofetë e këtij edicioni. 26-vjeçari ishte shpallur më i vlefshmi edhe në Ligën Unike, që ishte zhvilluar në formë turneu.

Pos kampionatit dhe Ligës Unike, Trepça ka fituar edhe Kupën  dhe Superkupën e Kosovës.

“Jam shumë i lumtur me atë që kemi arritur. Kur erdha kisha për qëllim të bëja pjesën time që të ndihmoja Trepçën të jetë në pozitë sa më të mirë për ta fituar kampionatin. Pasi kemi fituar të gjitha kupat dhe pas arritjeve personale, mund të them se kjo përvojë ishte një e arritur e madhe për karrierën time dhe jam shumë mirënjohës”, ka thënë Edge për KOHËN.

Gjatë karrierës profesionale Edge ka luajtur edhe në Poloni, Ukrainë dhe kategorinë e dytë të Turqisë.

Finalen e plejofit Trepça e fitoi 3:2.

“Finalja ishte betejë e vërtetë. Qartë ishte seri ndeshjesh ku terreni vendas ishte një avantazh i madh. Asnjëra skuadër nuk fitoi në udhëtim. E kam ditur që Ylli është ekip i stërvitur mirë dhe i talentuar, kështu që kam pritur luftë. Finalja dallon plotësisht nga stinori i rregullt. Nuk mund të bazohesh në stinorin e rregullt kur vjen puna te plejofi. Të gjithë luftojnë dukshëm më tepër”, ka theksuar Edge.

Sipas tij, vendimtare në ndeshjen e pestë ishte se Trepça iu përmbajt qëllimeve që kishte për 40 minuta. Edge thotë se në fund lojtarët e Trepçës i bënë gjuajtjet e duhura dhe i shtynë lojtarët e Yllit që të bëjnë gabime të kushtueshme në dy minutat e fundit.

Por, presioni më i madh për lojtarët e Yllit erdhi nga tribunat. Palestra ishte e stërmbushur dhe zhurma kur Ylli e kishte topin ishte gati e papërballueshme.

“Tifozët përfundimisht e bëjnë dallimin. Energjia dhe përkrahja që na dhanë ata është e pabesueshme. Janë prej më të mirëve që kam parë apo që kam qenë pjesë. I bën lojtarët të entuziazmuar të luajnë për Trepçën dhe të jenë pjesë e këtij klubi”, ka theksuar basketbollisti amerikan.

Në 29 ndeshje kampionale, Edge ka luajtur për Trepçën me mesatare prej 17,9 pikëve, 5,8 asistimeve dhe 4,2 kërcimeve.

Ai ka thënë se është i hapur për të biseduar për mundësinë e kthimit te Trepça. Si gjithë lojtarëve të huaj, edhe Edges i përfundoi kontrata me ndeshjen e pestë finale të plejofit. Trepça ka synime të mëdha edhe për edicionin e ardhshëm. Mbetet të shihet nëse ato synon t’i realizojë me Edgen në përbërje.