Federata e Basketbollit e Kosovës i ka dhënë leje basketbollistit Dardan Berisha të paraqitet me klubin e basketbollit Peja. Pejës të martën iu miratua kërkesa për ta regjistruar Berishën si lojtar të lirë.
Por një prej basketbollistëve më të mirë në vend, thotë se i duhet ende kohë për t’u paraqitur në parket.
“Kam nisur të stërvitem, por ende nuk jam në formë. Por të shohim fillimisht se si do të shkojë procesi i regjistrimit. Po më thonë se mund të luaj, por të shohim. Duhet të merrem vesh me Pejën, pasi ende nuk jam marrë vesh”, ka thënë Berisha të enjten për KOHËN.
Ai thotë se është rikuperuar plotësisht nga lëndimi. Por pranon se është ende larg formës shkaku i pauzës së gjatë.
“Është pauza më e gjatë që më ka ndodhur. Lëndimin e kam pasur në fund të shkurtit, nuk isha i përgatitur dhe përfundoi kampionati. Gjatë verës kishim ndeshje me përfaqësuese, kështu që është koha më e gjatë që kam qenë në pauzë”, është shprehur Berisha. “Më duhet pak kohë derisa të kthehem në formë, derisa të marr ritmin e lojës. Por uroj të mos kem lëndime dhe të kthehem në formën ideale. Uroj të kem shëndetin e mirë dhe besoj se të tjerat vijnë me kohë. E di se do të kthehem në formë dhe shpresoj shpejt ta ndihmoj ekipin”.
Berisha është kthyer te Peja pasi në dy sezonet e fundit ishte pjesë e Sigal Prishtinës, ndërsa vlerësohet si lojtari më i mirë dhe më i dekoruar në Kosovës.
“Po kthehem në shtëpi, në qytetin ku kam lindur, jam zhvilluar si basketbollist. Jam pranë familjes dhe kjo ka qenë më e rëndësishmja për mua në këtë moment. Është një gjë shumë e mirë dhe emocionale për mua. Dua ta ndihmoj ekipin dhe të kalojmë si është më së miri’, është shprehur Berisha.
Berisha 35-vjeçar është zhvilluar si basketbollist te Peja. Ndër të tjera, ka bërë karrierë edhe jashtë vendit. Ka luajtur për Cibonën, Casertan e Nymburkun.
“Unë jam nga Peja dhe besoj se Peja meriton të jetë në nivel të lartë. Peja është qytet i basketbollit. Flitet më së shumti për basketboll dhe po besoj se salla do të jetë e mbushur dhe së bashku t’ua arrijmë qëllimeve. Mendoj se ka qenë koha e duhur. Dihet që kam edhe moshën dhe nuk më ka mbetur shumë kohë për të luajtur. Po thashë që e rëndësishme ishte të kthehem pranë familjes. Ka qenë koha më e mirë që unë të kthehem në vendlindje”, ka theksuar Berisha.
Pas katër xhirove të para të këtij sezoni, Peja ka regjistruar dy fitore dhe po aq humbje.
“Kemi kampionatin dhe kupën e Kosovës. Peja gjithmonë ka luftuar për trofe. Forma ime nuk është e mirë tani për tani, por besoj se me kohë do të kthehem në formë për ta ndihmuar ekipin. Deri në plejof ka kohë dhe deri atëherë të jemi në formën më të mirë. Kampionati është i nivelizuar, janë të gjitha skuadrat me nivel të ngjashëm. Do të jetë luftë interesante mes disa ekipeve dhe kjo do ta bëjë më interesant edicionin”, ka theksuar ai.
Para se t’i bashkohej Kosovës, Berisha pati paraqitje të mëdha me Poloninë. Ai është kapiten i Kosovës. Ai pret të paraqitet me Kosovën në ndeshjet e nëntorit. Kosova luan kundër Zvicrës dhe Irlandës më 21, përkatësisht 24 nëntor. Dy ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2027 i luan në udhëtim.
“E rëndësishme është që kam filluar stërvitjet dhe deri në nëntor kur do të jenë grumbullimet do të jem më në formë se që jam tash dhe është e mirë që po kthehem për të qenë gati edhe për Kosovën. Unë jam gjithmonë i gatshëm për ekipin. Uroj t’i fitojmë dy ndeshjet që i kemi jashtë”, ka thënë Berisha.
Kosova është e treta në Grupin A me tri pikë sa ka edhe Azerbajxhani. Zvicra është e para me katër pikë, kurse Irlanda e fundit me dy pikë. Kosova ka një fitore kundër Irlandës dhe një humbje nga Azerbajxhani. Kosova do të udhëhiqet nga një trajner i ri në nëntor, pas largimit të Rami Hadarit.