Jean-Denys Choulet ka pak ditë që u prezantua si përzgjedhës i Kosovës në basketboll. Gjatë prezantimit ishte i matur në deklaratat e tij. Por të enjten foli më konkret për synimet që ka me “Dardanët”.
“Unë fillimisht pres që të fitojmë. Pres të kemi ndeshje të mira, të jemi në gjendje të aplikojmë lojë të mirë në mbrojtje. Nëse nuk luan kështu në ndeshjet si mysafir, është e vështirë të fitohet. Por ne duhet të bëjmë shumë gjëra. Duhet të gjejmë kombinimet e disa basketbollistëve që luajnë në sulm, e të tjerët që luajnë në mbrojtje. Duhet të luajmë bashkë, si ekip. Nuk është e lehtë pasi nuk kemi shumë kohë”, ka thënë të enjten për KOHËN selektori francez.
Trajneri me përvojë nisi të martën punën për dy ndeshjet që Kosova do t’i luajë në parakualifikimet evropiane për Kupën e Botës 2027. “Dardanët” më 21 e 24 nëntor do të luajnë në Bernë e në Dublin, kundër Zvicrës përkatësisht ndaj Irlandës. Ndeshjet i takojnë Grupit A kualifikues.
Choulet e ka zëvendësuar në postin e selektorit Rami Hadarin që dha dorëheqje.
Të enjten, për shkak të lëndimeve, nuk kanë stërvitur Musab Malaj, Samir Zekiqi e Muhamedali Janjeva. Dominic Artis pritet t’i bashkohet grupit në fillimin e javës së ardhshme.
“Kemi edhe disa lojtarë të lënduar, ndërsa disa të tjerë i bashkohen ekipit me vonesë. Pra duhet të stërvitemi e t’i mësojmë gjërat brenda pak ditësh. Nuk është e lehtë, por puna jonë është kështu”, ka theksuar Choulet 66-vjeçar.
Choulet do të jetë në krye të Përfaqësueses së Kosovës deri në vitin 2027.
“Për mua gjithçka është pozitive këtu. Këta djem duan që të stërviten. Ata nuk janë mësuar të stërviten dy herë në ditë, e di, por duhet të bëjmë gjëra të reja. Duhet të stërvitemi dy herë në ditë. E di që ndihen të lodhur, por është në rregull, do t'ia dalim. Stërvitja dy herë në ditë nuk krahasohet me ata që punojnë nga tetë orë në ditë. Të gjithë duan të luajnë basketboll, por kjo nuk është punë e rëndë”, është shprehur ai.
Kapiteni Dardan Berisha shprehet i gatshëm ta ndihmojë Kosovën. Ai është kthyer së fundmi nga një lëndim që e ka lënë jashtë parketit për kohë të gjatë. Por ka nisur të ketë minuta edhe te Peja, skuadrës tek e cila u kthye në verë pas dy edicioneve të kaluara te Sigal Prishtina.
“Jemi duke ushtruar mjaft intensivisht. Kështu që, për momentin, gjithçka është në rregull. Është pozitive. Trajneri i ri, frymë e re. E dimë që do ta përfaqësojmë Kosovën dhe nuk ka nevojë për motiv shtesë. Do të shkojmë atje për të luftuar për vendin tonë dhe për të dhënë 100 për qind në të dyja ndeshjet që i kemi”, ka deklaruar Berisha.
Pavarësisht se në të kaluarën Kosova i ka mposhtur Zvicrën e Irlandën, kapiteni Berisha kërkon përqendrim maksimal për të dyja ndeshjet.
“Kemi luajtur kundër tyre, por për fillim duhet ta shikojmë veten, me trajnerin e ri, taktikisht dhe fizikisht, për t'u kthyer në formën tonë më të mirë. Momentalisht jemi më shumë të fokusuar për ekipin tonë. Por, pak a shumë i njohim dhe si mysafir i kemi mposhtur më herët edhe Irlandën edhe Zvicrën. Kështu që po shpresoj që edhe kësaj radhe do t'ia arrijmë qëllimit tonë”, ka thënë 35-vjeçari.
Basketbollisti i Trepçës, Dardan Kapiti, i cili po kalon formë të mirë te Trepça, po ashtu shprehet optimist.
Kapiti vlerëson Zvicrën e Irlandën. Por insiston se synimi i tyre është fitorja.
“Ne e dimë që kualiteti i Zvicrës dhe i Irlandës është goxha i mirë. Mirëpo do ta bëjmë maksimumin dhe shpresoj që do të kemi sukses dhe do të arrijmë fitore në të dyja ndeshjet”, deklaroi Kapiti.
Në këtë cikël kualifikues, Kosova e ka një fitore ndaj Irlandës në Prishtinë, e një humbje nga Azerbajxhani në Baku. Të dyja këto ndeshje u luajtën në shkurt të këtij viti.