Bora ka shënuar fitore të madhe ndaj kampiones në fuqi të Kosovës në basketboll, Trepçës, në ndeshjen që dhuroi dramë e që u vendos vetëm në sekondat e fundit.
Ballafaqimin e xhiros së 21-të të elitës së basketbollit kosovar të enjten mbrëma në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, Bora e fitoi me rezultatin 89:88.
Michael Green i Trepçës shënoi për dy pikë për rezultatin 88:87, 49 sekonda para fundit.
Rrezart Memed i Borës tentoi për tri pikë në aksionin e radhës, por nuk shënoi.
Edhe Trepça nuk e mbajti topin në 26 sekondat e fundit, kurse Jetmir Zeqiri luajti rol vendimtar me vjedhjen e topit dhe me asistimin për Desmond Cambridge Jr, i cili shënoi nga afërsia për 89:88.
Michael Charles Myres Jr e mori përsipër përfundimin e aksionit të fundit. Dështoi ta bënte një gjë të tillë dhe fitorja i takoi Borës. Gëzimi ishte shumë i madh te kjo skuadër, që po lufton për mbetje në elitë.
Bora tani shkëputet me 28 pikë nga pozita e fundit ku është Proton Cable Prizreni që ka 26 pikë. Bora ka shtatë fitore e 14 humbje, kurse Prizreni ka pesë fitore e 16 humbje.
Trepça me 35 pikë mbetet në pozitën e dytë, pas 14 fitoreve e shtatë disfatave. Lider është Bashkimi që ka 36 pikë, me 15 fitore e gjashtë humbje.
Pas pjesës së parë, Trepça kishte epërsi prej katër pikëve 37:33, që ngadalë u shkri nga vendësit pas lojës shumë të mirë në fazën e sulmit e të mbrojtjes.
Në çerekun e fundit, Bora krijoi edhe epërsi deri në 15 pikë. Fituesja e Kupës së Kosovës, Trepça, u kthye në lojë më pas, por pa arritur që të marrë tjetër fitore.
Alex Aveion Lomax ishte më i miri te Bora me 25 pikë, shtatë kërcime e plota 12 asistime, ndërsa kontribut në fitore dha edhe Derrick Ëood me 23 pikë e tri kërcime. Vetëm këta dy basketbollistë të Borës kishin pikë dyshifrore.
Myres Jr i Trepçës e mbylli ndeshjen me 16 pikë e 12 kërcime, kurse Tekele Cotton i kishte 21 pikë, katër kërcime e pesë asistime.
Trepça në xhiron e ardhshme ballafaqohet në derbi me Bashkimin, kurse Bora udhëton te Golden Eagle Ylli.