Bora ka bërë befasinë më të madhe në pjesën e deritashme të edicionit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Të shtunën mbrëma në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, Bora e mposhti Bashkimin e Prizrenit me rezultat 87:86. Ndeshja i takoi xhiros së 11-të të Superligës.
Ishte ndeshje interesante me fund dramatik.
Skuadra prishtinase, Bora, e fitoi çerekun e parë me rezultat 26:18. Në çerekun e dytë për një pikë para ishte Bashkimi, 24:23. Pjesa e parë përfundoi 49:42 në të mirë të Borës.
Prizrenasit u kthyen furishëm në çerekun e tretë, të cilin e fituan 23:10.
Pas 30 minutash lojë rezultati ishte 65:59 për Bashkimin.
Bashkimi ishte në epërsi deri 52 sekonda para fundit, kur Bora me një trepikësh të Alex Avelion Lomax kaloi në avantazh 85:84. Më pas Bora u shkëput në 87:84, po me pikët e Lomaxit. Bashkimi realizoi për 87:86. Lomax humbi topin në sulm, ndërsa gjuajtja e fundit e Bashkimit, përkatësisht e Mack Smithit, nuk ishte e saktë. Kështu festa e madhe ishte për lojtarët e Borës dhe dhjetëra shikuesit në palestër.
Alex Aveion Lomax ishte më i miri te Bora me 23 pikë, shtatë asistime e katër kërcime. Adem Mekiq i kishte19 pikë, gjashtë asistime e katër kërcime.
Jayveous Mckinnis ishte më i miri te Bashkimi me 16 pikë e 12 kërcime.
Mack Smith i realizoi 24 pikë, por kishte shumë gjuajtje të humbura.
Bashkimi ka pësuar vetëm humbjen e tretë të edicionit. I ka edhe tetë fitore. Bora e shënoi vetëm fitoren e dytë, ndërsa i ka edhe nëntë humbje.
Në mesjavë Bashkimi fitoi bindshëm ndaj Borës në Prishtinë në çerekfinalen e parë të Kupës.