Basketboll

Bashkimin e Trepçën i presin udhëtime të vështira

baski

Pas ndeshjeve në Ligën Unike, ku dy prej tyre dhanë rezultate të papritura, skuadrat kosovare të basketbollit e vazhdojnë garën në Superligë. Në fundjavë në program është xhiroja e 23-të.

Dy ndeshje janë të shtunën prej orës 20:00 e dy të tjera të dielën prej orës 20:00. Skuadrat e kreut të tabelës, Trepçën e Bashkimin i presin udhëtime të vështira.

Të dielën Trepça luan ndaj Golden Eagle Yllit.

Ylli në mesjavë fitoi 87:62 ndaj Tiranës dhe synon që ta befasojë Trepçën. Trepça është e para në tabelë me 37 pikë, përkatësisht me bilanc prej 15 fitoreve e shtatë humbjeve. Bilanc të njëjtë ka edhe Bashkimi në vend të dytë.

Ylli renditet vetëm i gjashti me 31 pikë, përkatësisht me nëntë fitore e 13 humbje. Por edhe këtë pozitë suharekasit nuk e kanë të sigurt. Bora është në vendin e shtatë me 30 pikë, ndërsa synon vendin e gjashtë, që është i fundit që dërgon në plejof.

Ylli ka pasur formë të lëkundshme këtë edicion, ndërsa së fundi është goditur edhe nga lëndimet.

Trepça në Ligën Unike nuk garon, kështu që kishte një javë për ta përgatitur këtë ndeshje.

Për të keq në Ligën Unike befasoi Bashkimi, që u mposht në shtëpi nga Besëlidhja e Lezhës me rezultat 84:76.

Në Superligë, prizrenasit u mposhtën në xhiron e kaluar nga Trepça, 93:88, dhe kështu e humbën vendin e parë në tabelë.

Kjo nuk ishte “goditja” e vetme për prizrenasit, që kanë mbetur edhe pa lojtarin më të mirë, Jayveous Mckinnis, që pësoi lëndim serioz të dorës.

Bashkimi të dielën mbrëma luan ndaj Vëllaznimit në palestrën “Shani Nushi”, ku pritet të jetë atmosferë e zjarrtë. Në ndeshjet e fundit është rritur shumë rivaliteti mes këtyre dy skuadrave e po ashtu mes grupeve të tifozëve. Bashkimi e kishte eliminuar Vëllaznimin në gjysmëfinale të Kupës, ndërsa në Superligë, Bashkimi i fitoi dy ndeshjet në Prizren, kurse Vëllaznimi e fitoi ndeshjen në Gjakovë.

Vëllaznimi është në vendin e pestë me 33 pikë, ndërsa i duhen pikët për të synuar pozitën e katërt, që e mban Peja, po ashtu me 33 pikë. Skuadra gjakovare pret përkrahje të madhe nga shikuesit në tentim për dy pikë me shumë vlerë.

Të shtunën prej orës 20:00 janë ndeshjet Proton Cable Prizreni – Peja dhe Bora – Sigal Prishtina. Peja llogaritet favorite ndaj Prizrenit, që është i fundit me 27 pikë. Prizreni ngadalë po rrëshqet drejt kategorisë së dytë.

Interesant pritet të jetë derbi prishtinas mes Borës e Prishtinës.

Bora në dy xhirot e kaluara mposhti Yllin e Trepçën. Tashmë e ka mposhtur edhe Prishtinën një herë këtë edicion. Prishtina renditet e treta me 36 pikë, vetëm një më pak se Trepça e Bashkimi.

Superliga në basketboll – XXIII

E shtunë (20:00)

Proton Cable Prizreni – Peja

Bora – Sigal Prishtina

E diel (20:00)

Golden Eagle Ylli – Trepça

Vëllaznimi – Bashkimi