Bashkimi i Prizrenit ka vazhduar dominimin e plotë në basketbollin kosovar. Basketbollistet e Bashkimit për herë të dytë rresht kanë fituar tre trofetë, Superkupën, Kupën e Kosovës dhe titullin e kampionit të Kosovës.
Titullin e kampionit të Kosovës për edicionin 2023/2024, Bashkimi e siguroi të martën pasdite. Në ndeshjen e tretë finale të plejofit, skuadra prizrenase fitoi ndaj Prishtinës me rezultat 72:53. Ndeshja u zhvillua në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.
Kështu Bashkimi e përfundoi serinë finale të plejofit me triumfin 3:0.
Për Bashkimin është titulli i tetë i kampionit të Kosovës.
Amerikania Adrienne Williams Godbold ka udhëhequr Bashkimin edhe në ndeshjen përfundimtare të edicionit. Godbold kontributoi me 26 pikë e 11 kërcime. Arbnore Përçuku i kishte 13 pikë e 11 asistime. Sarah Mgbeike i kishte 10 pikë e 15 kërcime. Diedona Halitaj i shtoi 15 pikë.
Jade Williams i kishte 15 pikë e 11 kërcime te Prishtina. Talentja Malvina Haziri ndeshjen e mbylli me 14 pikë.