Basketboll

Bashkimi starton në plejof nga pozita e parë, ndeshje shumë të forta në çerekfinale

Basketboll

Me ndeshje dramatike ka përfunduar stinori i rregullt i Superligës së Kosovës në basketboll. Ndeshja mes Bashkimit e Pejës, ashtu si shumë ndeshje të tjera gjatë 28 xhirove, është vendosur vetëm në aksionet e fundit.

Të dielën mbrëma në “Sezai Surroi” në Prizren, Bashkimi fitoi me tri pikë dallim, 75:72. 

Për Bashkimin fitorja ishte e domosdoshme për të realizuar synimin që të jetë i pari pas stinorit të rregullt. Pozita e parë para plejofit është me shumë rëndësi në basketbollin kosovar. Ndër të tjera ofron përparësinë e terrenit vendas në ndeshjen vendimtare të serisë gjysmëfinale dhe eventualisht në serinë finale.

Bashkimi ka përfunduar i pari me 48 pikë. Në rast të humbjes, pozita e parë do t’i takonte Trepçës. Pas fitores së Bashkimit, Trepça starton në plejof nga pozita e dytë me 47 pikë.

Bashkimi dhe Trepça kualifikohen direkt në gjysmëfinale të plejofit. Pra, nuk kanë ndeshje në çerekfinale.

Ndërkohë në çerekfinale paraqiten Sigal Prishtina, Golden Eagle Ylli, Peja dhe Vëllaznimi.
Bora e vendit të shtatë do të luajë në plejaut për mbetje në Superligë, ndërsa Proton Cable Prizreni largohet nga Superliga.

Gara për titull vazhdon me ndeshjet çerekfinale të plejofit, në mesjavë.

Prishtina e vendit të tretë në çerekfinale do të luajë me Vëllaznimin e Gjakovës. Në ndeshjen vendimtare, përparësia e terrenit vendas do të jetë e Prishtinës.

Dy skuadrat u përballën të dielën mbrëma në Gjakovë. Nuk kishte shumë rivalitet. Prishtina fitoi me rezultatin bindës, 94:73. Kështu Prishtina iu revanshua Vëllaznimit për humbjen që ia shkaktoi në finale të Ligës Unike. Dhe dha paralajmërim të fortë para serisë çerekfinale.

Prishtina përfundoi e treta me 45 pikë. Vëllaznimi i mblodhi 41 pikë për vendin e gjashtë.

Në çerekfinalen tjetër përballen Golden Eagle Ylli dhe Peja. Ylli e përfundoi stinorin e rregullt në vendin e katërt me 43 pikë. Peja është e pesta me 42 pikë. Në fakt Ylli e kishte të rrezikuar edhe vendin e gjashtë, por pas serisë impresive në fazën e fundit të kampionatit doli në vendin e katërt dhe do ta ketë përparësinë e terrenit në ndeshjen vendimtare çerekfinale ndaj Pejës.


Superliga në basketboll – xhiroja e fundit

P.C. Prizreni – G.E. Ylliu 97:102
Trepça – Bora    92:80
Bashkimi – Peja    75:27
Vëllaznimi – S. Prishtina    73:94

1 Bashkimi    48
2. Trepça   47
3. S. Prishtina    45
4. G. E. Ylli    43
5. Peja    42
6. Vëllaznimi    41
7. Bora    37
8. P. C. Prizreni    33

Bashkimi e Trepça kualifikohen direkt në gjysmëfinale. 
Në çerekfinale Prishtina takohet me Vëllaznimin, kurse Ylli me Pejën