Basketboll

Bashkimi mposht Pejën, starton në plejof nga pozita e parë

Kb bashkimi

Bashkimi i Prizrenit ka mposhtur me shumë mund Pejën të dielën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi”. Ndeshja e xhiros së fundit të stinorit të rregullt përfundoi 75:72 për prizrenasit.

Me këtë fitore Bashkimi ka siguruar pozitën e parë për plejof. Do të ketë përparësinë e terrenit në serinë gjysmëfinale e eventualisht në serinë finale.

Në basketbollin kosovar përparësia e terrenit në ndeshjen vendimtare vlerësohet me shumë peshë. 
Bashkimit i duhej fitorja ndaj Pejës për të përfunduar në pozitën e parë pas stinorit të rregullt. Në rast të humbjes, e para do të ishte Trepça. Ndeshja ishte dramatike dhe u vendos vetëm në aksionet e fundit. 

Lejson Zeqiri udhëhoqi Bashkimin me 22 pikë, gjashtë kërcime e katër asistime. Dirk Williams i kishte 10 pikë, 13 kërcime e gjashtë asistime. Te Peja u dallua Amin Hot me 17 pikë e tri kërcime. Darryl Morsell i kishte 16 pikë e katër kërcime. Te Peja nuk u paraqitën Dardan Berisha e Arti Hajdari. 

Peja starton në plejof nga pozita e pestë. Do të luajë në çerekfinale me Golden Eagle Yllin. Ylli do ta ketë përparësinë e terrenit vendas.