Bashkimi i Prizrenit i humbi dy çerekët e parë ndaj Sigal Prishtinës, por shfaqi gjithë potencialin pas pushimit të gjatë për fitoren e radhës.
“Portokallezinjtë” të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë fituan ndaj “bardhekaltërve” me rezultatin 88:80, për fitoren e 19-të të stinorit të rregullt në Superligën e basketbollit.
Dhe kështu lideri edhe pas xhiros së 27-të në elitën e basketbollit kosovar nuk ndryshon.
Bashkimi, që ka edhe tetë humbje, mbetet i pari në tabelë me 46 pikë, një më shumë se Trepça e vendit të dytë.
Sigal Prishtina mbetet në vendin e tretë me 43 pikë.
Kryeqytetasit pas largimit të trajnerit turk Murat Bilge u udhëhoqën për herë të parë nga Albert Sylejmani. Më 1 prill, Sigal Prishtina njoftoi se Sylejmani, që deri tani ishte ndihmëstrajner, do ta drejtojë skuadrën në vazhdim të kampanjës.
Por, debutimi nuk ishte i suksesshëm, ndonëse lojtarët e tij i fituan dy çerekët e parë 17:16 dhe 29:24.
Por, Bashkimi e ndali Sigal Prishtinën në vetëm 17 pikë në dy periudhat e fundit, ndërsa i shënoi 29 në çerekun e tretë e 19 në të katërtin, për fitoren me tetë pikë dallim.
Më meritorët në fitoren e Bashkimit ishin Mack Smith dhe Erik Copes. Smith i pati 19 pikë, gjashtë kërcime e tri asistime, kurse Copes i shënoi 17 pikë, tetë kërcime e katër asistime.
“Bardhekaltërve” nuk i ndihmoi loja e mirë e Rashid Mahalbashiqit, që pati 18 pikë, katër kërcime e tri asistime.
Sigal Prishtina në ndeshjen e fundit të stinorit të rregullt luan në udhëtim te Vëllaznimi, kurse Bashkimi e pret Pejën në “Sezai Surroi”.