Pas dy humbjeve të njëpasnjëshme, Bashkimi ka dominuar në derbin e Prizrenit dhe është kthyer sërish në krye të tabelës. Bashkimi të shtunën në kuadër të xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës në basketboll, në palestrën “Sezai Surroi” fitoi thellë 103:89 ndaj Proton Cable Prizrenit. Tani prinë në tabelë me 18 pikë, pas tetë fitoreve e dy disfatave.
Por, e ka një ndeshje më shumë të luajtur se Trepça, që ka shtatë fitore e dy humbje.
Proton Cable Prizreni mbetet në pozitën e parafundit, përkatësisht në vendin e shtatë me 12 pikë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Arbnor Rifati ka dy fitore e tetë humbje.
“Portokallezinjtë”, që humbën nga Trepça e Vëllaznimi në dy xhirot e fundit, ishin dominues nga fillimi e më pas e administruan mirë lojën për të marrë fitore të re.
Çereku i parë u mbyll 23:20 në të mirë të Bashkimit, ndërsa me dhjetë pikë dallim për vendësit, përfundoi periudha e dytë, 29:19.
Në çerekun e tretë, Bashkimi hyri me epërsi prej 13 pikëve.
Periudha e tretë përfundoi 25:19 për vendësit, kurse ajo e fundit u fitua nga Proton Cable Prizreni 31:26, por pa e ndryshuar fituesin.
“Kemi dominuar në disa momente. Por edhe kemi pasur momente që nuk kemi luajtur mirë në mbrojtje, duke u lënë hapësira kundërshtarëve. Çelësi i fitores ndoshta ka qenë shtatlartësia në krahasim me kundërshtarët. Ne duam që të përmirësohemi. Kemi periudhë shumë të vështirë para”, ka thënë pas ndeshjes trajneri i Bashkimit, Darko Raduloviq.
Ndërkohë, trajneri Arbnor Rifati tha se Proton Cable Prizreni nga dita e hënë do të ketë tjetër fytyrë për shkak të disa transferimeve.
“Na kanë munguar dy lojtarë të qendrës, njëri erdhi dje e i cili ende nuk është i pajisur me dokumentacion. E kemi ditur që nuk do ta kemi lehtë. Lojtari më i gjatë te skuadra jonë ka qenë 196 centimetra. Por nga dita e hënë do të kemi tjetër skuadër”, theksoi Rifati.
I pandalshëm në këtë ballafaqim te Bashkimi ishte Jayveous McKinnis me 24 pikë e 11 kërcime.
Ai u ndihmua nga Samir Zekiqi, që pati 17 pikë, katër kërcime e shtatë asistime. Mack Smith shënoi 17 pikë, gjashtë kërcime e pesë asistime.
Lenzelle Smith Jr. ishte më i miri te mysafirët me 25 pikë, 11 kërcime e pesë asistime.
Të dielën mbyllet xhiroja e dhjetë me ndeshjet Trepça – Vëllaznimi, Peja – Bora dhe Sigal Prishtina – Golden Eagle Ylli.
Superliga – Java 10
E shtunë:
Bashkimi – Proton Cable Prizreni 103:89
E diel:
Trepça – Vëllaznimi (17:00)
Peja – Bora (19:00)
Sigal Prishtina – Golden Eagle Ylli (19:00)
1. Bashkimi 10 18
2. Trepça 9 16
3. Golden Eagle Ylli 9 14
4. Sigal Prishtina 8 13
5. Peja 9 13
6. Vëllaznimi 9 13
7. Proton Cable Prizreni 10 12
8. Bora 8 9