Bashkimi vazhdon të mbetet skuadra e vetme pa disfatë në edicionin aktual të Superligës së Kosovës në basketboll. Të enjten mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, Bashkimi e mposhti Trepçën me rezultatin 71:64, dhe ia shkaktoi humbjen e parë. Ishte ndeshje e mbetur e xhiros së parë të elitës së basketbollit kosovar. Ky ballafaqim ishte shtyrë për shkak të paraqitjes së Trepçës në kualifikimet e Championsit.
Pas tri ndeshjeve të luajtura, Bashkimi prinë në tabelë me gjashtë pikë pas tri ndeshjeve. Trepça mbetet me dy fitore e një disfatë dhe ka pesë pikë, aq sa ka edhe Sigal Prishtina.
Ndeshja ishte dramatike dhe e tensionuar. Kur kishin mbetur edhe 4 minuta e 17 sekonda deri në përfundim, takimi u ndërpre për pesë minuta. Një atlete u hodh në parket nga tifozët vendës. Një pjesë e tribunës u zbraz dhe më pas basketbollistët mysafir u rikthyen në parket për t’i përfunduar minutat e mbetura. Por, pa ia arritur që ta kthejnë rezultatin në të mirë të vet. Edhe fundi i ndeshjes u përcoll me tensione mes basketbollistëve, por edhe me hudhje të gjësendeve nga shkallët e tribunave.
Bashkimi e nisi furishëm ndeshjen dhe çerekun e parë e fitoi me shifrat 21:9. Me shtatë pikë dallim fitoi Trepça në periudhën e dytë, 18:11, ndërsa në pushim skuadra prizrenase shkoi me pesë pikë dallim, 32:27.
Bashkimi 21 pikë i shënoi edhe në periudhën e tretë, duke ndalur “xehetarët” në vetëm 16 pikë. Bashkimi e mbajti epërsinë e krijuar deri në fund dhe nuk lejoi humbje para tifozëve të vet.
Më i dalluari në fitore te skuadra e Bashkimit ishte Mack Smith që shënoi 17 pikë, gjashtë kërcime e katër asistime.
Kontribut dha edhe Lejson Zeqiri me 18 pikë, pesë kërcime e dy asistime.
Larry Thomas pati paraqitje të mirë te Trepça me 19 pikë, shtatë kërcime e pesë asistime, por që nuk mjaftuan për ta shmangur disfatën.
Në dy ndeshjet e para, Trepça, që në edicionin e kaluar i fitoi gjitha trofetë e mundshëm, kishte mposhtur Golden Eagle Yllin dhe Vëllaznimin. Ndërkohë, Bashkimi fitoi ndaj Vëllaznimit dhe Proton Cable Prizrenit.
Në xhiron e ardhshme, Bashkimi ballafaqohet me Borën kurse Trepça zhvillon derbin me Sigal Prishtinën.