Bashkimi bëri kthim të madh në çerekun e tretë për ta fituar derbin e xhiros së 21-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Të mërkurën mbrëma në palestrën “Karagaçi”, Bashkimi e mposhti Pejën me rezultat 87:72.
Pas pjesës së parë Peja ishte në epërsi 34:28. Por prizrenasit nisën furishëm pjesën e dytë dhe shpejt kaluan në epërsi. Madje edhe bënë shkëputje, kurse epërsinë nuk e lëshuan më.
Bashkimi udhëhoqi 62:54 pas çerekut të tretë. Në çerekun e katërt mysafirët mbajtën vazhdimisht epërsi prej më shumë se dhjetë pikë, për të fituar në fund 87:72.
Mack Smith udhëhoqi Bashkimin me 19 pikë, katër kërcime e dy asistime. Dirk Willimas debutoi me 15 pikë e tri kërcime, ndërsa kontribut të çmuar dhanë edhe Lejson Zeqiri me 11 pikë e shtatë kërcime dhe Samir Zekiqi me 11 pikë e pesë kërcime.
Te Peja u dallua Tristan Ipke me 14 pikë, katër kërcime e kgjashtë asistime. Më efikasi ishte debutuesi Markus Towns me 24 pikë, ndërsa Arti Hajdari i realizoi 15 pikë e katër kërcime. Pejës i mungoi kapiteni Dardan Berisha për shkak të një lëndimi.
Bashkimi me fitore del në vendin e parë me 36 pikë. Ka 15 fitore e gjashtë humbje, por edhe një ndeshje me shumë se Trepça. Trepça, që i ka 34 pikë, luan të enjten mbrëma në Prishtinë ndaj Borës, nga ora 19:00.
Peja mbetet e pesta me 31 pikë. Ka dhjetë fitore e njëmbëdhjetë humbje.