Bashkimi e ka fituar bindshëm derbin e qytetit ndaj Proton Cable Prizrenit.
Të dielën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi”, në kuadër të xhiros së tretë të Superligës së Kosovës në basketboll, Bashkimi fitoi me shifrat 95:68.
Cilësia ishte plotësisht në anën e Bashkimit që fitoi bindshëm. Shkëputja nisi që në çerekun e parë që përfundoi 21:14 për Bashkimin. Skuadra më e vjetër e qytetit e fitoi çerekun e dytë me rezultat 34:23. Rrjedhë e njëjtë ishte edhe në çerekun e tretë, që përfundoi 20:15 për Bashkimin dhe në çerekun e katërt, rezultati i të cilit ishte 20:16.
Bashkimi ka fituar bindshëm dy ndeshjet që i ka luajtur deri më tani. Nuk e ka luajtur ende takimin e xhiros së parë ndaj Trepçës, ndërsa në xhiron e dytë e mposhti Vëllaznimin, 72:51.
Prizreni fitoi ndaj Prishtinës në xhiron e parë, 100:88, kurse ndeshjen e xhiros së dytë ndaj Pejës nuk e ka luajtur ende.
Valon Bunjaku udhëhoqi Bashkimin me 17 pikë, pesë kërcime e gjashtë asistime. Altin Morina i realizoi 14 pikë e pesë asistime, kurse Jayveous Mckinnis i kishte 12 pikë e tetë kërcime.
Lenzelle Smith ishte më i miri te Prizreni me 16 pikë, pesë kërcime e pesë asistime.
Më efikasi ishte Jordan Johnson me 18 pikë. Ai i kishte edhe shtatë kërcime e pesë asistime, por edhe pesë topa të humbur.