Basketboll

Bashkimi e fiton Kupën e Kosovës në basketboll

KB Bashkimi

Bashkimi e ka vazhduar dominimin në basketbollin e Kosovës.

Të dielën në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, skuadra prizrenase e basketbollisteve e fitoi Kupën e Kosovë për herë të katërt rresht dhe për herë të nëntë gjithsej.

Basketbollistet e udhëhequra nga trajneri kroat Viktor Kovaq, në finale e mposhtën skuadrën e Prishtinës me rezultatin 73:64. 

Bashkimi, që ka edhe tetë tituj të kampionit dhe pesë trofe të Superkupës së Kosovës, krijoi epërsi të lartë në pjesën e parë. 

Çerekun e parë e fitoi me shifrat 21:14, ndërsa të dytin me rezultatin 18:10.

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 39:24.

Basketbollistet e Prishtinës u munduan të ktheheshin në lojë në çerekun e tretë, të cilin e fituan 25:12, por pa arritur që ta rrezikojnë fitoren e Bashkimit, që e fitoi edhe periudhën e fundit, 22:15.

Adrienne Godbold ishte më e dalluara te Bashkimi me 22 pikë, tetë kërcime e katër asistime. Brittany Brianna Byrd i realizoi 19 pikë, shtatë kërcime e një asistim, ndërsa Caterrion Thompson e mbylli ndeshjen me 16 pikë e gjashtë kërcime.

Prishtinës nuk i ndihmoi loja e mirë e Tiffany Brownit, që në total i pati 22 pikë, shtatë kërcime e pesë asistime.

Bashkimi është i pari në kampionat me 25 pikë pas 13 ndeshjeve të luajtura, ndërsa Prishtina e dyta me 22 pikë pas 14 ndeshjeve.