Javën e kaluar në Shkup është zhvilluar Turneu Zhvillimor i FIBA-s, ku morën pjesë përfaqësueset U14 të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Rumanisë, Bullgarisë dhe Turqisë. Kanë garuar djemtë dhe vajzat.
Federata e Basketbollit e Kosovës të hënë ka njoftuar për rezultat.
Kosova nuk e ka shënuar asnjë fitore. Sidomos vajzat kanë pësuar humbje të thella. Kosova U14 në konkurrencë të vajzave ka pësuar 59:19 nga Bullgaria, 51:24 nga Rumania, 83:34 nga Turqia dhe 40:28 nga Maqedonia e Veriut.
Djemtë e Kosovës U14 pësuan 97:43 nga Bullgaria, 64:55 nga Rumania, 83:35 nga Turqia dhe 57:37 nga Maqedonia e Veriut.
Numri i fëmijëve që merren me basketboll në Kosovë vlerësohet goxha i madh. Por turneu zhvillimor edhe një herë dëshmoi që për të arritur cilësinë e vendeve të regjionit, në Kosovë duhet të bëhet punë shumë, shumë më e madhe se që është duke u bërë.