Basketboll

Arbitrat e vendit ndihen të tradhtuar, FBK-ja mbron vendimin për “të huajt”

Basketboll

Ademir Zurapoviq i Bosnjë-Hercegovinës, Zdravko Ruteshiq i Malit të Zi dhe Can Mavisu i Turqisë e drejtuan të shtunën ndeshjen e parë gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll mes Trepçës e Sigal Prishtinës. Kjo treshe e gjyqtarëve e drejtoi edhe ndeshjen tjetër gjysmëfinale të plejofit, të zhvilluar të dielën mbrëma mes Bashkimit dhe Pejës.

Gjyqtarë të huaj do të drejtojnë të gjitha ndeshjet e mbetura në plejofin e Superligës. Pra, ndeshjet më të rëndësishme - gjysmëfinalet dhe finalet.

Arbitrat kosovarë të basketbollit kanë refuzuar të drejtojnë ndeshjet bashkë me arbitra të huaj. Ata ndihen të tradhtuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës. FBK-ja ndërkohë  arsyeton vendimin për të afruar gjyqtarët e huaj.

Në fakt arbitrat kosovarë kanë kërkuar që deri në fund t’i drejtojnë ndeshjet vetëm ata, jo bashkë me arbitra të huaj. Federata ka kërkuar që ndeshjet vendimtare në garën për titull të drejtohen bashkë, nga vendorë e të huaj. Pasi ky opsion u refuzua nga arbitrat kosovarë, Bordi i FBK-së vendosi për të huajt.

Vendimi u mor të premten nga Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës. Për të mundësuar që vetëm të huajt të drejtojnë ndeshje, është dashur që Bordi të bëjë ndryshime të përkohshme të propozicioneve të garave.

Bordi ka miratuar “angazhimin e tre gjyqtarëve të huaj për secilën ndeshje të fazës gjysmëfinale dhe finale të plejofit, me qëllim të garantimit të integritetit dhe cilësisë së garës”.

Sipas njoftimit, “vendimi bazohet në miratimin e dhënë nga FIBA”.

Bordi ka ndryshuar pikën 1 të nenit 41 të Propozicioneve të Garave për të mundësuar angazhimin e të huajve. Ndër të tjera në këtë pikë shkruan: “Të gjitha ndeshjet e edicionit garues, deri në ndeshjen e fundit finale të plejofit dhe ndeshjen e finale të Kupës së Kosovës do të gjykohen vetëm nga gjyqtarët vendorë nga lista e aprovuar nga Bordi i FBK-së”.

Rrjedhimisht FBK-ja ishte pajtuar fillimisht që arbitrat vendorë të kenë besimin për të drejtuar të gjitha ndeshjet. Por ndërkohë është ndryshuar qëndrimi. Kjo është pritur rëndë nga arbitrat. Nga shoqata e arbitrave nuk kanë folur me emër, por kanë thënë se janë klubet që kërkojnë gjyqtarë të huaj dhe FBK-ja për t’i ikur përgjegjësisë dhe presionit plotëson kërkesën e klubeve.

“Kemi përfunduar Superkupën, Kupën e Kosovës, Ligën Unike dhe asnjë ankesë nuk kishim. Kemi përfunduar Ligën e Parë, Superligën e femrave, Superligën e meshkujve dhe në fund edhe çerekfinalet, pa asnjë fjalë. Pos kësaj, federata na ka borxh për muajt janar, shkurt e mars. Edhe dhjetë ditë borxhi arrin në katër muaj. E kemi pasur marrëveshjen me propozicione prej vitit të kaluar, që kupën dhe plejofin t’i përfundojmë ne. Janë ndërruar propozicionet me vendim të bordit dhe është vazhduar me tre gjyqtarë të huaj. Ne nuk kemi pranuar kombinimet 2-1 e 1-2. U kemi thënë drejtuesve të federatës që i kemi përkrahur vitin e kaluar me këto kombinime pasi na është premtuar se kjo nuk do të përsëritet më. Rrjedhimisht edhe është përfshirë në propozicione që të jenë vetëm gjyqtarët vendorë. Por, Federata e ktheu skenarin e njëjtë. Nuk e mbajti fjalën, na tradhtoi”, ka thënë një prej gjyqtarëve kryesorë në basketbollin kosovar, që ka folur në emër të shoqatës.

Ai thotë se është vendim i shoqatës, në pajtim me të gjithë arbitrat, që mos të hyjnë në kombinim me të huaj.

“Ndihemi të nënçmuar dhe të tradhtuar. Pasi nuk na kanë besuar, u kemi thënë që të paktën djersën të na e paguajnë dhe të vazhdojnë me të huaj pasi më shumë nuk mund të na nënçmojnë”, ka shtuar arbitri kosovar.

Arbitrat kosovarë vlerësojnë se kanë kryer punën mirë në përgjithësi, ndonëse pranojnë se disa ndeshje nuk shkuan mirë.

“Por ekipi më i mirë ka fituar gjithnjë me meritë. Në ndeshjet vendimtare gjithnjë ishim mirë dhe kjo ka rëndësi. Arbitrat e huaj paguhen katër herë më shumë se ne. U paguhet edhe rruga, akomodimi në hotel. Pra shpenzimet janë të mëdha, ndërkohë që ndaj nesh kanë hyrë në muajin e katërt borxh”.

Ka disa vjet që FBK-ja vendos për arbitra të huaj në fazën finale të kampionatit. Por deri më tani arbitrat e huaj janë kombinuar me vendorët. Ky opsion nuk u realizua këtë herë pas kundërshtimit të gjyqtarëve të vendit.

Disa vjet më parë kishte akuza se dy arbitra grekë ishin joshur për të kurdisur ndeshje të basketbollit kosovar. Ata më nuk erdhën për të referuar në Kosovë.

Nga Federata e Basketbollit të Kosovës kanë thënë se plani ishte që për ndeshjet gjysmëfinale të plejofit të angazhohet nga një i huaj.

“Bordi i Federatës ka vlerësuar se është e nevojshme që për gjysmëfinale të plejofit në ProCredit Superliga të angazhohet nga një refer i huaj për ndeshje. Dhe pas gjysmëfinaleve të shikohet se a është e nevojshme edhe për dy të huaj që të ndajnë drejtësinë. Por arbitrat tanë na kanë bërë të qartë që nuk duan të kombinohen. Për këtë arsye është dashur që Bordi të vendosë për tre të huaj në gjysmëfinale dhe finale. Kjo do të thotë kosto goxha shtesë për Federatën. Por nuk kemi pasur zgjidhjet tjetër”, ka thënë Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e FBK-së.

“Për ne ideal ishte kombinimi. Në të njëjtën kohë gjyqtarët e huaj me përvojë të mbajnë trajnime për gjyqtarët tanë të rinj. Krejt kjo për zhvillimin e tyre”, ka shtuar Dushku.

Ajo thotë se vendimi është i Bordit, por në konsultim me klubet.

“Klubet investojnë shumë përgjatë edicionit. Ne kemi pasur në vazhdimësi takime me klubet për të marrë opinionin e tyre. Por nuk kanë qenë klubet që kanë vendosur. Ishte bordi”, ka theksuar Dushku.

Nuk ka pasur shumë diskutime për referim pas gjysmëfinales së parë. Kjo edhe për shkak se lojtarët e trajnerët i respektojnë shumë më tepër vendimet e tyre se të gjyqtarëve kosovarë.