Basketboll

KB Trepça, kampione e Kosovës pas 12-vjetësh

KB Trepça

Pas 12-vjetësh pritjeje, KB Trepça e ka fituar titullin e Kosovës në basketboll. 

Trepça e mposhti Golden Eagle Yllin në ndeshjen e pestë finale të plejofit të elitës së basketbollit kosovar.

Trepça fitoi me rezultatin 67:66 të enjten mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, që ishte e stërmbushur me shikues. 

Për “xehetarët” është titulli i pestë në histori të klubit, ndërsa Golden Eagle Ylli mbetet me dy titujt e fituar në vitet 2021 e 2022. 

Njësoj si katër ballafaqimet e kaluara, edhe të enjten mbrëma pati dramë dhe u vendos krejt në fund. Një minutë pa përfunduar i gjithë dueli, Darnell Edge shënoi për tri pikë, për rezultatin 65:60. 

Edge më pas i realizoi edhe dy gjuajtje të lira për 67:60. 

Alonzo Verge Jr. i shënoi dy trepikësha më pas për Yllin, por nuk dolën të mjaftueshme për ta shmangur disfatën me një pikë dallim, si dhe humbjen e titullit. 

Suharekasit e nisën mirë ballafaqimin duke fituar 16:10 në çerekun e parë. 

Mitrovicasit u këndellën në dhjetë minutëshin e dytë dhe fituan 20:14, ndërsa në pushim skuadrat shkuan me rezultatin e barabartë, 30:30. 

Ylli fitoi edhe në periudhën e tretë 11:7, por çereku vendimtar ishte i fundit ku Trepça fitoi 30:25. 

Më i miri në këtë triumf të vendësve ishte Edge, i cili ndeshjen e mbylli me 15 pikë, pesë kërcime e gjashtë asistime. 

Brandon Edwards kontribuoi me 15 pikë e tri kërcime, kurse Kevin Bracy-Davis e mbylli takimin me 13 pikë, pesë kërcime e një asistim. 

Verge Jr. ishte sërish më i dalluari tek Ylli me 28 pikë, katër kërcime e tetë asistime. 

Por, suharekasve nuk u ndihmoi as loja e mirë e Jalen Nesbitt, i cili pati 11 pikë, tetë kërcime e tri asistime. 

Trepça i ka fituar titujt në vitin 1993, 2000, 2001, 2012 dhe në edicionin aktual, 2023/2024. 

Në këtë sezon e ka fituar edhe Kupën e Kosovës, Superkupën dhe Ligën Unike


(E përditësuar 21:32) - Darnell Edge, “MVP” i finales

Basketbollisti i Trepçës, Darnell Edge, është shpallur lojtari më i mirë i finales së plejofit ndaj Golden Eagle Yllit.

Edge të enjten mbrëma shkëlqeu me 15 pikë, pesë kërcime e gjashtë asistime.


(E përditësuar 21:08) - Trepça e mposhti Golden Eagle Yllin në ndeshjen e pestë finale të plejofit të elitës së basketbollit kosovar.

Trepça fitoi me rezultatin 67:66 të enjten mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, që ishte e stërmbushur me shikues.

Për “xehetarët” është titulli i pestë në histori të klubit, ndërsa Golden Eagle Ylli mbetet me dy titujt e fituar në vitet 2021 e 2022.


(E përditësuar 20:27) - Ka përfunduar çereku i tretë i ndeshjes Trepça - Ylli. Rezultati është 41:37 në të mirë të Yllit.

Pritet dramë në çerekun e katërt.


(E përditësuar 19:50) - Trepça e Golden Eagle Ylli po barazojnë 30:30 pas pjesës së parë në finalen vendimtare të plejofit në Superligën në basketboll.

Ndeshja është shumë e fortë dhe po zhvillohet në "Minatorin" e stërmbushur me tifozë.


(19:30) - Golden Eagle Ylli po e përballon presionin e jashtëzakonshëm të tifozëve në "Minatorin" e stërmbushur.

Pas 10 minutave suharekasit udhëheqin 16:10 ndaj Trepçës.

Seria është e barabartë 2:2. Skuadra që fiton sot ngre trofeun e ligës.