Ish-basketbollistja e njohur, Elvira Dushku, pritet të nisë “epokë” të re për sportin kosovar – angazhimin e zyrtarëve nga Kosova në organizatat ndërkombëtare sportive.
Dushku ka shumë vjet që e kryen detyrën e sekretares së përgjithshme në Federatën e Basketbollit të Kosovës. Për punën që e kryen vlerësohet lartë në FBK, në komunitetin e basketbollit kosovar, por edhe të sportit kosovar në përgjithësi. Krahas detyrave si sekretare gjenerale, Dushku ka vazhduar shkollimin për menaxhment sportiv.
Së fundmi, ish-basketbollistja e Universitetit të Prishtinës, ka përfunduar me sukses programin MESGO, përkatësisht Masterin Ekzekutiv në Qeverisjen Globale në Sport. Ky është një program unik i krijuar për profesionistët e sektorit të sportit, që dëshirojnë të zotërojnë dimensionet komplekse dhe diversitetin e praktikave ndërkombëtare që lidhen me sportin profesional në nivel ndërkombëtar.
Dushku e ka diplomimin në këtë program në fillim të tetorit dhe më pas pritet ta nisë punën në Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA), që selinë e ka në Gjenevë të Zvicrës.
“Kjo do të bëhet në koordinim me Federatën e Basketbollit të Kosovës, pjesë e së cilës organizatë jam dhe do të vazhdoj të jem”, ka thënë Dushku të martën për KOHËN.
“Ideja është që të punoj në FIBA si menaxhere për federatat nacionale. Pra që të punoj me federata. Mund të them që është një pozitë e mesme. E njoh mirë punën e federatave dhe besoj se jam gati për këtë sfidë. Por kjo vjen në konsideratë vetëm pasi të diplomoi në Masterin që jam duke ndjekur, e të cilin do ta përfundojë në fillim të tetorit, kur edhe do të mbahet ceremonia e diplomimit”, ka shtuar Dushku.

Si ish-basketbolliste e suksesshme, Dushku asnjëherë nuk i është ndarë sportit. Ka punuar për një kohë si gazetare sportive, krahas angazhimeve si koordinatore sportive në klubin prishtinas të basketbollisteve. Ishte më pas e angazhuar në disa organizata sportive. Prej vitit 2015 është e punësuar në Federatën e Basketbollit të Kosovës, ndërsa prej vitit 2017 është sekretare e përgjithshme. Është kjo pozita kryesore ekzekutive në federatat sportive kosovare. Asnjë federatë e madhe në vend nuk ka sekretare gjenerale. Elvira Dushku është e vetmja.
Deri më tani, asnjë zyrtar nga federatat sportive kosovare nuk është punësuar në federatat evropiane apo ndërkombëtare. Për këtë arsye, Dushku do të fillojë epokë të re.
Drejtues e zyrtarë federatash sportive kosovare në fakt janë pjesë e asociacioneve ndërkombëtare, por jo si të punësuar. Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, është anëtar i Bordit të FIBA Evropës, ndërsa Dushku është në komisione të FIBA Evropës.
Kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, është njëri prej drejtorëve sportiv të Unionit Evropian të Xhudos dhe rrjedhimisht anëtar i Komitetit Ekzekutiv të EJU-së. Në organizata ndërkombëtare prezantohen edhe hendbolli e ndonjë sport tjetër kosovar.
Edhe pas angazhimit në FIBA, Dushku nuk pritet të shkëputet nga basketbolli kosovar. Kështu FBK-ja dhe basketbolli kosovar do të kenë një krah brenda organizatës kryesore të këtij sporti.