Auto

Volvo prezanton kamionët elektrikë

Kompania Volvo Trucks vazhdon të zgjerojë gamën e saj duke prezantuar disa kamionë të rinj elektrikë, të cilët mundësojnë elektrifikimin e një numri edhe më të madh rrugësh transporti në qytete dhe rajone në shtetet skandinave dhe jo vetëm, shkruan AutoCar.

Përveç prodhimit të gamës së plotë elektrike në industrinë botërore të kamionëve, Volvo Trucks tani po zgjeron ofertën e saj duke prezantuar versionet e kamionëve të rëndë elektrikë: Volvo FH, Volvo FM dhe Volvo FMX. Kjo e bën edhe më të lehtë për kompanitë e transportit të adoptojnë automjete elektrike në mjediset urbane dhe rajonale.

Falë opsioneve të shumta të baterive, kabinës dhe sasisë, kamionët e rinj mund të përshtaten për të transportuar superstruktura elektrike për një gamë të gjerë detyrash të specializuara transporti, duke përfshirë shpërndarjen e mallrave, mbledhjen e mbeturinave dhe punët e ndërtimit. Prodhimi i modeleve të reja do të fillojë në tremujorin e parë të vitit 2023.

Kamionët e rinj kanë një kapacitet baterie midis 180 dhe 540 kWh. Kjo, së bashku me numrin e baterive të përdorura në kamion, siguron fleksibilitet të madh dhe një gamë të gjerë funksionesh të mundshme.

Kompania Volvo Trucks është prodhuesi i vetëm botëror me një gamë të tërë kamionësh elektrikë në prodhim seri për momentin. Qëllimi i kompanisë është që gjysma e totalit të shitjeve botërore të jenë automjete elektrike – më së voni deri në vitin 2030.

Image