Auto

Toyota shtyn planet për prodhimin e veturave elektrike në SHBA

Toyota

Foto: Getty

Toyota po shtyn datën e fillimit të prodhimit të veturave elektrike në SHBA, për shkak të kërkesës së ulët për to.

Gjiganti japonez synonte të fillonte me prodhimin në fund të vitit 2025.

Por, tani Toyota pret që operimi i saj në SHBA të nisë në një kohë të paspecifikuar në vitin 2026, raportoi BBC.

Disa prodhues të veturave, përfshirë Volvon dhe Fordin, së fundmi janë zmbrapsur me planet e tyre për automjetet elektrike.

“Jemi ende të fokusuar në synimin tonë për 1.5 milionë vetura deri më 2026”, ka thënë zëdhënësi i Toyotas, Scott Vazin.

Në fillim të këtij viti, kompania lajmëroi se po investonte 1.3 miliardë dollarë në fabrikën në Kentucky si pjesë e planit për prodhimin e veturës sportive elektrike. Plane kishte edhe për prodhimin e një modeli tjetër në një fabrikë në Indiana.

Gjithsesi, këto njoftime erdhën në një kohë kur industria e veturave vazhdon të përballet me vështirësi, me një kërkesë të ulët për vetura elektrike në tregjet e mëdha.