Tesla ka tërhequr mbi 1.6 milionë vetura në Kinë për ta përmirësuar softuerin që paralajmëron shoferin kur bagazhi është i hapur, ka thënë rregullatori i tregut të Kinës, shkruan Euronews.
Tërheqja prek disa automjete Model S dhe Model X të importuara dhe Model 3 dhe Model Y të prodhimit vendas, të prodhuara midis 15 tetorit 2020 dhe 17 korrikut 2024.
Sipas Teslas, bagazhi mund të hapej gjatë vozitjes për shkak të një problemi me softuerë. Por nuk ka treguar nëse kjo i ka ndodhur ndonjë veture Tesla.
Prodhuesi i automjeteve elektrike me bazë në SHBA do ta rregullojë problemin përmes përmirësimit të softuerit në distancë.
Kina është treg i madh dhe bazë prodhimi për Teslan – ku konkurrenca vendase është e madhe.
Kompania raportoi rënie në të ardhurat të tremujorit të dytë muajin e kaluar, pasi shitjet ranë pavarësisht uljeve të çmimeve dhe financimit me interes të ulët.