Gjiganti i veturave elektrike, Tesla, është pajtuar të zgjidhë një çështje gjyqësore lidhur me një aksident të vitit 2018 që la të vdekur inxhinierin e Appleit, Walter Huang, pasi vetura e tij “Model X”, që operonte me autopilot, u përplas për një muri anësor në autostradë.
Rasti, i iniciuar nga familja e Huangut, ishte paraparë të niste këtë javë në gjykatën e lartë në Kaliforni.
Po që se procesi gjyqësor do të zhvillohej, do të shtoheshin dilemat për teknologjinë e drejtimit të veturave pa nevojën e shoferit.
Kushtet e marrëveshjes nuk janë bërë të ditura. Tesla nuk ka komentuar për rastin.
Para marrëveshjes, Tesla pati thënë se Huang ka keqpërdorur sistemin sepse ai po luante video-lojëra pak para aksidentit.
Kompania pati fituar në të kaluarën raste të tilla duke argumentuar se shoferët nuk kanë ndjekur instruksionet për të pasur vëmendjen gjatë përdorimit të sistemit autonom.
Gjiganti elektrik përballet me seri padish për përplasje që lidhen me përdorimin e teknologjisë për ngasje nga vetë vetura.
Qe shumë vjet, Tesla ka premtuar prodhimin e një veture autonome, por ende nuk e ka lansuar. Të premten, shefi i kompanisë, Elon Musk, ka thënë se kompania planifikon të shpalosë robotaksi vetëngasës në muajin gusht.