Shefja e shitjeve në Audi, Hildegard Wortmann, ka zgjedhur të tërhiqet nga roli i saj dhe të zëvendësohet nga Marco Schubert, kreu i Porsche AG-së në Evropë, ka njoftuar prodhuesi gjerman i automjeteve, raportoi të dielën Reuters.
Wortmann kaloi në Audi në korrik të 2019-s nga një karrierë shumë dekadashe në BMW për të udhëhequr shitjet dhe marketingun e markës.
Gruaja e parë në bordin e Audi-së, ishte gjithashtu anëtare e Bordit të Volkswagen dhe përgjegjëse për shitjet në komitetin e tij të zgjeruar ekzekutiv.
Ajo mbikëqyri shitje rekord prej 1.9 milionë veturash në markë më 2023, duke tentuar t’i rikuperojë dëmet në shitje të shkaktuara nga pandemia COVID-19.
Ndërsa Schubert, në Porsche që nga viti 2021, ka punuar më parë në Audi si drejtues i biznesit të tyre në Kinë. Ai gjithashtu mbajti role kryesore në Suedi dhe Evropën veriore.
Ai do ta marrë detyrën nga 1 shtatori.