Auto

Pronari kroat i Rimacut krijon modelin special për veten

Rimac

Mate Rimac, mendja kroate prapa kompanisë së veturave që mban mbiemrin e tij, ka realizuar ëndrrën 15-vjeçare duke krijuar një supermodel veç për vete – Rimac Nevera.

Ai ka pranuar se nuk ka qenë klienti më i lehtë për kompaninë, por e ka lavdëruar produktin final.

Në të gjithë modelin ka përdorur fije karboni. Mate e ka ngjyrosur veturën me ngjyrë të kuqe. Nevera e tij ka edhe flamurin kroat në pasqyrat anësore. Po ashtu nën veturë ka motive të fshehura të rrufesë që përfaqësojnë klimën mesdhetare, e që ndihmuan në vënien e emrit Nevera.

“Është njëlloj përvoje e çmendur që të jesh klient i kompanisë tënde. Dhe me gjasë nuk isha më i lehti. Sikur të gjithë klientët tanë, ishte procesi i bashkëkrijimit, ndarjes së ideve, zhvillimit të tyre dhe në fund perfeksionimit ashtu që të kem një Nevera që flet vetëm me mua. Rezultati nuk është vetëm i mahnitshëm, por edhe tregon një rrëfim të rëndësishëm për mua”, ka thënë ai për faqen zyrtare të kompanisë.

Rimacu në këtë veturë ka përdorur motorë elektrikë – nga një për secilën rrotë. Fuqia totale është 1914 kuajfuqi dhe përshpejtimin nga 0 në 100 kilometra e arrin për vetëm 1.75 sekonda. Shpejtësia maksimale që mund ta arrijë kjo veturë është 415 kilometra për orë. Po ashtu mund të ecën deri 275km/orë në ecjen së prapthi.

Ka tre vjet qëkur ky model u lansua. Fillimisht planifikohej shitja e vetëm 150 njësive. Deri tash janë shitur 50. Një veturë e tillë kushton më shumë se dy milionë euro.

Rimacu është një prej kompanive më të njohura të hiperveturave. Gjiganti kroat ka marrë nën pronësi edhe aksione të Bugattit. Kompania u themelua më 2009 dhe më 2011 nxori veturën e parë.