Mijëra automjete të importuara aktualisht janë në disa porte detare evropiane, shumë prej të cilave të ardhura nga Kina.
Disa prodhues veturash kanë marrë me qira sipërfaqe të mëdha në porte për shkak të importeve të shumta të veturave për të cilat nuk kanë blerës. Kompanitë e logjistikës marrin me qira edhe vende shtesë parkimi jashtë portit.
“Kjo situatë po prek aktualisht të gjitha portet evropiane ku mbërrijnë vëllime të mëdha automjetesh” ka thënë për “Automobilwoche”, zëdhënësi i portit belg të Antwerpit, Gert Ix.
Autoriteti Portual nuk dha shifra konkrete, por aktualisht ka më shumë automjete se në vitin 2020 dhe 2021 së bashku.
Problemi nuk është vetëm se nuk ka klientë. Mungojnë edhe kamionët për transportin e veturave dhe ka shumë pak vozitës.
Shitjet e dobëta të veturave të reja (elektrike) në Evropë vazhdojnë të jenë fajtori më i madh për këtë kaos. Plani i disa kompanive të veturave për t'i shitur automjetet drejtpërdrejt klientëve, në vend të tregtarëve, po kontribuon gjithashtu në mbipopullim të porteve.