Gjatë viteve të ardhshme, dy prodhuesit e veturave, Volkswagen dhe Tesla, do të luftojnë për udhëheqjen në shitjet globale të automjeteve elektrike, duke e lënë pjesën tjetër të industrisë së veturave shumë prapa.
Prodhuesi gjerman ka njoftuar prej vitesh se një ditë ka ndërmend të shesë më shumë vetura elektrike se kompania amerikane. Sipas një raporti të publikuar nga Bloomberg Intelligence, kjo mund të ndodhë në vitin 2024.
Me dhjetë marka të ndryshme nën kontrollin e tij - duke filluar nga çmimi dhe prestigji - Grupi VW mund të shesë një gamë të gjerë modelesh elektrike në tregjet anembanë botës, si Audi e-Tron, VW ID.3, VW ID.4 SUV dhe Porsche Taycan.
Shitjet e të gjitha markave të Volkswagenit pritet të rriten në vitet e ardhshme. Nga ana tjetër, linja e kufizuar e modeleve të Teslas e bën kompaninë inferiore ndaj ofertës dhe çmimeve të Volkswagenit.
Dy tregje, Kina dhe Evropa, do të jenë veçanërisht të rëndësishme në garën mes dy kompanive në vitet e ardhshme. Rregulloret në të dy këto tregje favorizojnë shumë automjetet elektrike.
Sipas raportit të Bloomberg, deri në vitin 2025, automjetet elektrike pritet të përbëjnë 25% të shitjeve totale të veturave në Kinë dhe 20% në Evropë. Volkswagen, me seli në Gjermani dhe disa fabrika në të gjithë Evropën, tashmë është përpara Teslas në shitjen e automjeteve elektrike në Kontinentin e Vjetër.
Megjithatë, në Kinë, Volkswageni aktualisht është shumë prapa Teslas në shitjet e automjeteve elektrike, duke zënë vetëm 3.5% të tregut të automjeteve elektrike vitin e kaluar. Tesla kishte një pjesë prej 13% në shitjen e automjeteve elektrike në Kinë në vitin 2021.
Është interesante se deri në 55% e shitjeve të automjeteve elektrike në Kinë vijnë nga një numër prodhuesish më të vegjël, kryesisht kinezë.
Modelet e veturave elektrike aktualisht përbëjnë vetëm 11% të shitjeve totale të veturave në Kinë.