Auto

Musk: Trumpi nuk mund ta ndalë rritjen e veturave elektrike

Donald Trump & Elon Musk

Drejtori ekzekutiv i Teslas, Elon Musk, ka deklaruar se presidenti amerikan Donald Trump nuk do të jetë në gjendje të ndalojë rritjen e veturave elektrike, pasi suksesi i kësaj teknologjie është “i pashmangshëm”.

Musku e krahasoi të ardhmen e motorëve me djegie të brendshme sikur rënia e transportit me kuaj. Ai ka thënë se problemi i fundit që po e pengonte shpërthimin e veturavee elektrike – autonomia e baterisë – tani mund të konsiderohet “problem i zgjidhur”.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga investitorët mbi planet e Trumpit për të zhbërë politikat e Joe Bidenit për veturat elektrike, Musku u shpreh: “Në këtë pikë, mendoj se transporti i gjelbër është i pashmangshëm. Jam shumë i sigurt se i gjithë transporti do të jetë autonom dhe elektrik, përfshirë aeroplanët, dhe që thjesht – nuk mund të ndalet më, ashtu siç nuk mund të ndalohej shpikja e motorit me avull apo e motorit me djegie të brendshme”.

“Edhe nëse ishe avokati më i madh i përdorimit të kuajve në Tokë, duke thënë ‘kuajt janë rruga e duhur, jo këto makinat e reja’, nuk mund të ndaloje ardhjen e veturave. Do të ndodhte. Dhe nuk mund të ndalosh ardhjen e veturave elektrike. Do të ndodhë. Gjëja e vetme që e mbante peng ishte autonomia (distanca përshkuese), dhe tani kjo është çështje e zgjidhur”, ka thënë Musk.

Mbështetja e Muskut për Trumpin është vënë në pikëpyetje për shkak të shqetësimeve se qëndrimi i presidentit të ri kundër subvencioneve për veturat elektrike mund të dëmtojë shitjet e Teslas.

Trumpi nënshkroi urdhër ekzekutiv në ditën e tij të parë të punës për të revokuar objektivin e Bidenit që 50 për qind e veturave të shitura deri në vitin 2030 të ishin elektrike. Ai gjithashtu ka kërkuar që të ndalen subvencionet prej 7.500 dollarë për çdo veturë elektrike të re, megjithëse kjo mund të kërkojë ndryshime ligjore në Kongres.

Megjithatë, Musku ka bërë thirrje për ndalimin e subvencioneve, duke thënë se “do të ndihmojë vetëm Teslan”, pasi kompania e tij është në pozicion më të fortë për të përballuar mungesën e mbështetjes financiare sesa prodhuesit e tjerë që kanë investuar më pak në elektrifikim.

Musku u tha investitorëve se avantazhi kryesor i Teslas nuk është vetëm teknologjia elektrike, por automatizimi i veturave vetë-drejtuese.

“Ka një rrugë ku Tesla do të jetë më e vlefshme se pesë kompanitë e ardhshme më të mëdha të kombinuara... dhe kjo do të ndodhë kryesisht për shkak të veturave autonome dhe robotëve humanoidë autonomë”, deklaroi Musk.

Shitjet e Teslas patën rënie të vogël në vitin 2024 pasi bumi i veturave elektrike u ngadalësua. Shitjet e veturave elektrike në SHBA u rritën vetëm me 7.3 për qind vitin e kaluar (1.3 milionë vetura elektrike të shitura) dhe përfaqësuan vetëm 8.1 për qind të tregut, rritje minimale nga 7.8 për qind sa ishte në vitin 2023.