Ka mjaftuar një udhëtim 330 kilometra nga Chongqing drejt Chengdus me “Nio ES8”, një SUV elektrik me shtatë ulëse, që pronari i saj Wang Haichun të pendohej për blerjen e automobilit.
Pavarësisht se i ishte thënë se mund të ecë deri 335 kilometra me vetëm një mbushje, “ES8” as nuk iu afrua asaj kur vozitej në shpejtësi mbi 100 kilometra për orë. Sipas tij, pas 190 kilometrash lëvizjeje, kishin mbetur vetëm edhe 50 kilometra mundësi për të lëvizur në njoftimin e automobilit, shkruan sot Koha Ditore.
“Na është dashur ta rimbushim sërish automobilin dhe të vozisim nën ankth, vazhdimisht duke shikuar matësin e kilometrave të mbetura”, ka thënë 44-vjeçari për agjencinë e lajmeve Reuters. Kah fundi i udhëtimit, ai u detyrua të ndalte kondicionerin dhe sistemin e audios për të kursyer energjinë që të ecte më lirshëm.
“Nuk do të doja ta bëja kurrë më këtë udhëtim”. Aq i palumtur ishte Wang, i cili kishte paguar 71 mijë dollarë për automobilin, saqë e shiti menjëherë atë. Ai dhe gruaja e tij më pas kanë blerë një “Lexus NX300h SUV”, automobil hibrid.
Të pyetur për të komentuar eksperiencën e Wang, “Nio” ka thënë përmes një njoftimi se “ES8” mund të ecë mbi 200 kilometra distancë kur vozitet me shpejtësi prej 100 kilometrash për orë dhe se stacionet për mbushje të baterisë apo ndërrim të tyre janë në dispozicion për shfrytëzim të shpejtë. Komunikata nuk e adreson reklamimin se një automobil i tillë ecën deri 335 kilometra distancë me një mbushje të plotë.
Në kushte reale, automobilat tërësisht elektrikë nganjëherë mund të mos i përmbushin premtimet e prodhuesve për distancë që mund të kalohet me një mbushje, thonë inxhinierët. Kjo sidomos në vozitje të gjata nëpër shpejtësi të larta, terrene të larta apo mot të ftohtë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)