Auto

Kosova kthehet me suksese nga Buzeti

Automobilistët kosovarë kanë pasur paraqitje mjaft të mirë në garën që u zhvillua në Buzet të Kroacisë dhe që ishte e vlefshme për Kampionatin Evropian.

Bardhyl Canolli, Besfort Bunjaku dhe Gazmend Demolli janë kthyer me kupa nga kjo aventurë, pasi të tre janë renditur në pozitën e tretë në klasat përkatëse.

“Buzeti është garë e madhe, me automobilistë të jashtëzakonshëm nga shumë vende të Evropës. Në një konkurrencë të tillë nuk është e lehtë të gjendesh në podiumin e fituesve, por për fat të mirë ne e arritëm këtë qëllim dhe shpresoj që edhe në të ardhmen ta prezantojmë Kosovën me shumë sukses”, ka thënë Canolli, i cili u rendit i treti në klasën e tij, por fitoi kupë edhe si i dyti në konkurrencën nën 3000 ccm.

Besfort Bunjaku është shprehur i kënaqur me rezultatin e arritur.

“Edhe pse konkurrenca ishte shumë e fortë, ndërsa unë për herë të parë garova në këtë shteg, pra kisha vështirësi ta njihja shtegun, ia dola të renditem në pozitën e tretë në Klasën 2000 ccm, Grupi A që gjithsesi është një rezultat i mirë. Falënderoj të gjithë ata që më kanë përkrahur për të arritur deri këtu”, ka thënë Bunjaku pas garës, i cili edhe para nisjes për në Buzet ishte shprehur optimist se do të gjendej në podium.

I treti është renditur edhe Gazmend Demolli, i cili garoi në klasën mbi 3000 ccm, Grupi N.

“Ishte kënaqësi të marrë pjesë në një garë kaq prestigjioze. E kemi ditur se do të jetë konkurrencë e fortë, por po ashtu kemi besuar se mund të arrijmë rezultate të mira dhe ashtu edhe doli. Mendoj se këto rezultate janë tregues i mirë që automobilizmi i Kosovës ka përparuar shumë“, është shprehur Demolli, njofton FASK.

Në këtë garë, kujtojmë se garuesi tjetër kosovar Liridon Kalenderi pësoi aksident, duke mos arritur ta përfundojë garën.