Kosova është kthyer në një hapësirë të veturave të vjetra, të cilat largohen nga Evropa që ka shtrënguar rregullat kundër ndotjes nga automjetet. Më shumë se 60 për qind e trafikut përbëhet nga veturat gjermane, kryesisht të vjetra
Veturat e vjetra gjermane e kanë karakterizuar komunikacionin e Kosovës edhe në vitin 2020. Viti pandemik nuk solli ndryshime të mëdha nga vitet paraprake. Vetëm e varfëroi tregun. U shtuan modele të vjetra e pati rënie të modeleve të reja të importuara. Kosovarët e kanë kthyer vendin në deponi të veturave të vjetra gjermane.
Saktësisht 342.591 vetura janë regjistruar në vitin 2020 deri në muajin dhjetor, bazuar në të dhënat që Ministria e Punëve të Brendshme ia ka ofruar KOHËS. Mbi 12.000 më shumë ishin regjistruar një vit më herët.
Duke i përllogaritur të gjitha të dhënat e veturave, të cilat janë regjistruar deri në dhjetor, në Kosovë vjetërsia mesatare e automjeteve është 16 vjet e gjysmë. Në këtë kontekst dominojnë veturat e prodhuara nga viti 1999 e deri më 2011.
24.408 vetura të regjistruara më 2020 ishin të prodhuara më 2003 apo para 17 vjetësh, duke e bërë këtë si vitin prodhues me shpërndarjen më të madhe të modeleve në Kosovë. Kjo shifër është për 13 herë më e lartë sesa ajo e regjistrimeve të veturave të prodhuara më 2020. Përderisa më 2020 deri në dhjetor u regjistruan 1.810 vetura të prodhuara në vitin e regjistrimit, e më 2019 ishin 2.555 vetura të regjistruara në atë vit prodhimi, duke treguar një rënie të lehtë të importimit të veturave tërësisht të reja në kohën e pandemisë.
Trendin e hyrjes së veturave të vjetra e dëshmojnë edhe të dhënat e ofruara nga Dogana e Kosovës. Sipas të dhënave për doganimin e veturave në vitin 2020 deri në muajin dhjetor kuptohet se kanë qenë 2.918 vetura të reja, nga 20.228 sa ishin në total. 86 për qind e veturave të doganuara sivjet ishin të përdorura. Më së shumti u doganuan veturat e prodhuara para 10 vjetësh, gjithsej 4.582.
MPB-ja ka bërë të ditur se 27.109 vetura u regjistruan për herën e parë më 2020, për rreth 7 mijë më pak se në vitin paraprak. Burrat vazhdojnë të mbesin në masë të madhe pronarë të veturave në Kosovë. Vetëm 10 për qind të veturave në tregun e Kosovës kanë për pronarë gratë.
Prejardhja
Gjermania vazhdon të jetë prodhuesi, por edhe tregu nga i cili preferojnë të furnizohen kosovarët me vetura. Siç tashmë është bërë traditë, versionet e modelit “Golf” mbesin më të pranishmet në treg.
Më shumë se 130.000 veturat e regjistruara në vitin 2020 ishin të brendit më të njohur gjerman “Volkswagen”. Pas tij renditet “Opeli” me më shumë se 34.000 vetura të regjistruara më 2020. Edhe “Opeli” është prodhues gjerman e që nga viti 2017 është pjesë e “Grupit PSA” të Francës. Brendet e tjera prestigjioze gjermane “Audi” e “Mercedes Benz” zënë gjithashtu vend në preferencat kryesore të kosovarëve. Teksa në Kosovë qarkullojnë gati 23.000 vetura “Audi”, janë edhe 19.000 “Mercedes”.
“BMW”, “Renault”, “Peugeot”, “Ford”, “Fiat”, “Citroën” e “Skoda” janë brendet e tjera më të pëlqyera në Kosovë, bazuar në të dhënat e regjistrimeve totale më 2019.
Periudha 2001-2005 paraqet gjeneratat me më së shumti vetura të pranishme në Kosovë. Vetëm nga kjo periudhë prodhimi, në Kosovë janë të regjistruara 112.000 vetura apo më shumë se 30 për qind e totalit. Kjo dëshmon praninë e madhe të modelit “Golf 4” në vend, si modeli më i famshëm i prodhuar në këtë periudhë kohore, e që shihet si “vetura model” te kosovarët.
Dominimi total i veturave nga Gjermania kuptohet edhe nga importi që kosovarët u kanë bërë këtyre veturave më 2020.
Vetëm më 2020, më shumë se 72 për qind e veturave të importuara erdhën nga Gjermania, me gati 15.000 nga 22.000 veturat e importuara sivjet që erdhën nga tregu më i madh i Evropës. Franca është importuesi tjetër i madh, nga ku Kosova mori veturat, por nga ky vend janë importuar vetëm 1.535 vetura. Kina është vendi i tretë nga ku importuan kosovarët veturat e tyre më 2020.
Vlera totale e veturave të importuara më 2020, sipas të dhënave të Doganës, ka qenë mbi 180 milionë euro. Nga taksa doganore për to, në arkën e shtetit kanë shkuar mbi 59 milionë euro. Muaji tetor ishte më i frytshmi për Doganën. Në këtë muaj u importuan 2.481 vetura. Vetëm një vit më herët, në Kosovë ishin importuar 24.187 vetura, ndërsa mbetet i njëjtë raporti i veturave të ardhura nga Gjermania.
Se “Volkswageni” dominon plotësisht në tregun e Kosovës e konfirmon edhe Behar Cakiqi nga grupi i njohur i adhuruesve të veturave në Kosovë, “Marakli t’Kerreve”, e që së fundmi është pasuruar me platformën për blerje-shitje të veturave nën të njëjtin emër.
Ai ka thënë se interesimi më i madh vlen për “Volkswagenin”, më saktësisht për modelin “Golf”. Teksa ka konfirmuar se nuk ka shumë vetura të reja, ai ka thënë se modeli “Golf 7” aktualisht është më i kërkuari në këtë faqe.
Kjo platformë synon të veçohet nga të tjerat, duke e bërë vendosjen e çmimit obligues për të lehtësuar mbrojtjen e blerësit dhe të shitësit.
“Është mënyra jonë për të parandaluar biseda pa pikë reference për të dyja palët. Me fjalë të tjera, nëse çmimi të pëlqen e kontakton shitësin dhe normalisht negociatat fillojnë, pasi që çmimi është vetëm orientim”, ka thënë ai.
Larg veturave elektrike
Përderisa vendet evropiane dhe ato të zhvilluara vazhdojnë të afrojnë kohën e caktuar se kur do të ndërpresin qarkullimin e veturave me djegie, në Kosovë numri i veturave tërësisht elektrike dhe hibride mbetet skajshmërisht i ulët.
Për vetëm 15 vetura është rritur tregu i veturave elektrike dhe hibride brenda 2020-s.
Më 2019, ishin në tërësi 29 vetura të regjistruara në këtë segment, derisa më 2020 janë 44 në total. Aty hyjnë veturat tërësisht elektrike dhe versionet hibride që funksionojnë me kombinimin me motorët dizelë dhe benzinë.
Mungesën e interesimit për vetura elektrike e ka kuptuar edhe Cakiqi, i cili ka thënë se tash për tash në platformë nuk kanë pasur kërkesë dhe ofertë për vetura të tilla, por ka shtuar se sapo të ketë rritje të interesimit do të shtohet edhe hapësira e dedikuar për to.
Pjesa më e madhe e importit të automjeteve janë ato që lëndë djegëse kanë naftën.
Çmimi i të tillave në vendet e zhvilluara evropiane, e veçmas në Gjermani, ka rënë dukshëm pas politikave gjithnjë e më të shtrënguara ndaj tyre, kryesisht për shkakun që lidhet me ndotjen.
Në Kosovë, më shumë se 80 për qind e veturave janë me naftë, cilësia e të cilit karburant jo rrallëherë shihet me dyshim.
Me një përllogaritje të thjeshtë del se më 2020 nga totali i veturave të regjistruara, vetëm 0.012 për qind e tyre ishin vetura që nuk ndotnin ambientin. Përqindja është larg nivelit botëror, ku vetëm më 2019 u raportua se totali i shpërndarjes së veturave elektrike në botë ishte mbi një për qind.
Prishtina, ku realizohen afro 135.000 hyrje të mjeteve motorike çdo ditë, vazhdon të mbetet ndër qytetet me ndotjen më të madhe të ajrit në Evropë. Siç kishte raportuar KOHA, bazuar në një matje që Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit e kishte bërë më 2019, 12 për qind e gazeve rrjedhin nga transporti. Në ndotësit kryesorë që shkarkohen në ajër nga mjetet e transportit bëjnë pjesë dyoksidi i karbonit (CO2), hidrokarburet, grimcat PM10 dhe PM2.5, dyoksidi i sulfurit (SO2), e edhe metalet e rënda, si plumbi (Pb), arseniku (As), kadmiumi (Cd), seleni (Se) dhe zinku (Zn).
{gallery}