Auto

Folia për ndryshim e mbrojtje

Dy deri në tri ditë u mjaftojnë Kujtim Govorit e Leutrim Rexhepit që të ndryshojnë komplet pamjen e një automobili. 

Nga njëra ngjyrë në kontrastin tjetër, veshja me folie shton edhe më shumë merakun për automobilat. Trendin në rritje në Kosovë, sipas dy djemve të rinj nga Prishtina, po e përdorin më së shumti automobilat e rinj, dhe pronarët e automobilave që duan atraktivitet më të madh për një periudhë të caktuar. 

Një muaj, dy muaj, dy vjet apo pesë vjet. Një njeri mund ta heqë folien pas veshjes kur të dojë ai vetë e ta kthejë automobilin në gjendjen bazë sikur kur ka dalë i prodhuar nga fabrika. Djemtë e “Auto Folje 01” nga Prishtina kanë nisur tash e dy vjet këtë punë për shkak të qejfit e merakut ndaj automobilave. Këtë merak të tyre shumë njerëz e shfrytëzuan për ta ndryshuar komplet automobilat e tyre e për të marrë vëmendjen nëpër rrugët e Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Govori e Rexhepi, që janë edhe tezakë me njëri-tjetrin, tregojnë për gazetën arsyet që i shtyjnë njerëzit të bëjnë veshjen me folie për automobilat e tyre.

“Folia zakonisht përdoret në automobilat më të rinj e më të shtrenjtë. Krejt për punë qejfi. Për shembull ka ngjyrë të thjeshtë të prodhuar nga fabrika, të bardhë, të zezë apo çfarëdo ngjyre, por pronari dëshiron ta ndërrojë përkohësisht, dhe ta bëjë automobilin më atraktiv e me ngjyrë inovative. Ai s’ka nevojë ta lyejë fare automobilin e të shpenzojë para kot, sepse më s’mund ta kthejë kurrë në ngjyrën origjinale. Por nëse e vesh me folje, zgjedh vetë ngjyrën, e bën qejfin dhe e mban sa të dojë ai deri në pesë vjet. Sado që dëshiron ta përdorë, në fund e heq folien dhe i kthehet automobilit ngjyra origjinale bazë”, thotë Govori. 

Pos atyre që duan të ndryshojnë tërësisht ngjyrën e një automobili apo motoçiklete ka të tillë që duan ndryshimin vetëm të pasqyrave, plastikeve në interier apo të dritave.