Auto

Fluturimi me distancim social, një normale e re e së ardhmes

Udhëtimi ajror do të marrë një trajtë skajmshërisht ndryshe prej asaj se si ishte në kohërat para pandemisë globale të koronavirusit. Ndryshimet do të jenë të dukshme si në aeroporte, ashtu edhe përbrenda vetë aeroplanëve. Por, Michael O’Leary është kundër kësaj.

“Në rast se ndodh kjo, nuk do t’u kthehemi më fluturimeve”, ka paralajmëruar me kundërshtim drejtori ekzekutiv i “Ryanair”-it.

Pavarësisht asaj çfarë thotë ai, po diskutohet intensivisht mënyra se si do të vazhdojë udhëtimi ajror pasi të hiqen kufizimet në fuqi, të vëna për ndalimin e koronavirusit. Njëra nga pyetjet kyçe është: A duhet të mbesin të zbrazëta ulëset në mes?

“Ulësja në mes nuk ofron aspak distancim social, andaj është një ide e marrë që nuk ka asnjë efekt”, ka thënë O’Leary për “Financial Times”. Nëse do të vendoseshin këso rregullash nga Irlanda, ku ndodhet selia e “Ryanair”-it, atëherë “ose shteti do të paguajë për ulësen e mesme ose nuk do të fluturojmë fare”. Një gjë është e qartë: nuk ka kthim të lehtë për aviacionin, në formën siç e njihnim para koronavirusit.

Modelet e biznesit në rrezik

Ky fakt e kërcënon modelin e biznesit të kompanive të aviacionit si “Ryanair”, e cila është e njohur për mbushjen e aeroplanëve me sa më shumë udhëtarë dhe për mbajtjen e aeroplanit në tokë vetëm për kthime të shkurtra, para se të fluturojnë sërish, duke mundësuar kësisoj fluturime më shumë se kompanitë e tjera.

Tani ky model mund të rrezikohet në thelb, me kërkesat e rregulloreve të reja. Pastrimi i tërthortë i aeroplanit dhe procedura më të gjata të hipjes në aeroplan për t’i mbajtur udhëtarët larg njëri-tjetrit do të zgjasin kohën e qëndrimit në tokë të një aeroplani. Deri më tani nuk ka pasur dëshmi të infektimeve përbrenda aeroplanëve.

Industria e aviacionit vazhdon të insistojë se ajri brenda aeroplanit ka pastërti të njëjtë me ajrin nëpër sallat e operimeve, për shkak të filtrave me performancë të lartë. Rreziqet zvogëlohen edhe më shumë, për shkak se rryma e ajrit përbrenda aeroplanit qarkullon poshtë e jo lart. Pastaj ende nuk është dëshmuar se lënia e ulëses së mesme të zbrazët do t’i zvogëlonte rreziqet e infeksionit.

Sidoqoftë, shumë kompani ajrore, si “Lufthansa Group”, përfshirë edhe “Eurowings”-in, tanimë i kanë ulëset e mesme të bllokuara. Në mënyrë të njëjtë, “Easy Jet” po premton “udhëtim pa pasur fqinj në ulëset afër”, së paku për fillim, kur t’i rinisë fluturimet. “Është kjo thjesht një masë kozmetike dhe nuk ka justifikim shkencor se do të ndihmojë fare”, ka thënë Shashank Nigam, drejtor i “Simpliflying”, kompani e konsultimeve për aviacion. Por tani psikologjia e bën të veten.

“Do të vazhdojmë në mundësimin e një përvoje të sigurt të udhëtimit, e cila duhet të jetë e dukshme për udhëtarët në mënyrë që të kthehet besimi”, zotohet Ingo Wuggetzer, zëvendësdrejtor i “Cabin Marketing”, në kompaninë “Airbus”.

Ndryshime rrënjësore

Kompania “Simpliflying” ofron një lloj pasqyre se si do të mund të duket fluturimi me aeroplan në epokën e “udhëtimit të dezinfektuar”.

“Ndryshimet do të jenë të mëdha, njësoj apo edhe më shumë se pas sulmeve të 11 shtatorit, dhe do të jenë këtu për të mbetur”, ka thënë Nigam. “Pos kontrolleve të sigurisë, do të kemi edhe elementin shtesë të dezinfektimit”.

Në një raport të fundit, “Simpliflying” ka bërë të ditur se udhëtimi me aeroplan do të duket pak a shumë kësisoj: si pjesë e procesit “online check-in”, udhëtarët do të duhet të ofrojnë edhe pasaportën për imunitet, e cila konfirmon prezencën e antitrupave për COVID-19. Në aeroport udhëtarët do të duhet të arrijnë 4 orë para orarit të nisjes. Edhe para se të hyjnë në pjesën për “check-in”, pasagjerët do të detyrohen të kalojnë përbrenda një tuneli dezinfektues dhe skanerëve termalë.

Autoriteti Shëndetësor i Udhëtimit, i porsakrijuar dhe i ngjashëm me Administratën e Sigurisë së Transportit krijuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas 11 shtatorit 2001, do t’i përcaktojë standardet, bashkë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe grupet e aeroporteve dhe kompanive të fluturimeve.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.