Auto

Në Korenë e Jugut “frenohet” shitja e veturave elektrike

Vetura e djegur

Zjarri në disa vetura elektrike në Korenë e Jugut ka frenuar shitjen e veturave të tilla, për shkak të frikës te blerësit. Prodhuesit po përgjigjen duke ulur çmimet e duke u përpjekur të garantojnë për sigurinë e klientëve.

Zyrtarët e Koresë u takuan javën e shkuar për të diskutuar për sigurinë e veturave dhe kanë bërë thirrje që prodhuesit të shtojnë transparencën e të tregojnë me emra prodhuesit e baterive.

Më 1 gusht, një veturë elektrike Mercedes-Benz u përfshi nga flakët në një parking të një kompleksi në qytetin e Incheonit. Zjarrfikësve iu deshën më shumë se tetë orë për ta fikur. 23 njerëz kërkuan trajtim mjekësor e më shumë se 140 vetura të tjera u dëmtuan. Rreth 1600 shtëpi mbetën pa rrymë për një javë.

Në një incident tjetër të ndarë, një Kia EV6 u dogj në një parking dhe u deshën më shumë se 90 minuta para se të vihej në kontroll.

Shkaktari i zjarrit në të dyja rastet besohet të kenë qenë bateritë.

Sipas Agjencisë Kombëtare ndaj Zjarreve në Korenë e Jugut, kanë qenë 72 raste të zjarreve lidhur me veturat elektrike në këtë shtet në vitin 2023, për dallim nga 24 sa ishin më 2021. Në 130 incidente për tri vjet, 68 vetura u dogjën teksa ishin në rrugë, 36 të parkuara dhe 26 teksa mbusheshin me rrymë.

Shqetësimet kryesore janë fokusuar në bateritë e prodhuara në Kinë. Mercedes-Benzi i djegur kishte bateri nga një kompani jo e njohur kineze.

Prodhuesit e veturave kanë nisur menjëherë të plotësojnë kërkesat për transparencë më të madhe në Korenë e Jugut. Kërkesa që të dihet çdo prodhues i çdo pjese nuk ka qenë e specifikuar në tregun korean, por po në vendet tjera. 

Mercedes-Benz Korea fillimisht u kritikua për përgjigjen ndaj incidenteve ndërsa tani ka nisur të takojë banorët dhe po konsideron ndihma financiare për të prekurit nga zjarri. Mercedes-Benzi ka njoftuar fillimisht se do t’i kompensojë me tre milionë euro, edhe pse nga banorët kjo nuk u konsiderua e mjaftueshme.

“Korea Times” ka shkruar se Audi tashmë ka ulur çmimet e veturave elektrike e njëjtë po vepron edhe BMW-ja.

Pavarësisht zbritjeve, gazeta ka shkruar se numri i veturave elektrike të regjisturara në Kore ka rënë sivjet për shtatë muaj për 13.4 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Koreja e Jugut si shtet subvencionon blerjen e veturave elektrike. Është shteti i tretë me nivelin më të lartë të subvencioneve për kalimin në tregun e veturave “green”. Kalimi drejt tregut elektrik ka bërë që koreanojugorët të nisin të shesin më shumë vetura me naftë. Si rrjedhojë së fundmi ka pasur raportime për rritje të tregut të veturave të ardhura nga Koreja në Kosovë.