Komisioni Evropian (KE) ka konfirmuar tarifat për veturat elektrike që prodhohen në Kinë, që do të hyjnë në fuqi nga 5 korriku (nesër), një vendim që synon të ripërcaktojë marrëdhëniet me Pekinin dhe mund të nxisë masa hakmarrëse kundër prodhuesve evropianë.
Vendimi, i paraparë në fillim të qershorit, është rezultat i një hetimi nëntëmujor i cili zbuloi se veturat elektrike që po prodhohen në Kinë po subvencionoheshin nga shteti, përfshi kompanitë vendase dhe të huaja, nga minierat e lëndëve të para të nevojshme për të prodhuar bateritë deri te shërbimet e transportit të përdorura për të sjellë veturat në brigjet e Evropës.
Shkalla e madhe e subvencioneve u ka lejuar prodhuesve kinezë të vendosin çmime dukshëm të ulëta krahasuar me prodhuesit evropianë, ku kostot e energjisë dhe të punës janë shumë të larte.
Kina kishte vetëm 3.9 për qind të tregut në vitin 2020, por kjo u rrit në 25 për qind në vitin 2023, sipas Komisionit Evropian.
Kjo valë e importeve me kosto të ulët përfaqëson “kërcënim dëmtimi ekonomik” për industrinë e BE-së që mund të çojë në humbje shkatërruese dhe të rrezikojë më shumë se 12 milionë vende pune direkte dhe indirekte, ka thënë KE-ja.
Prandaj, tarifat janë të nevojshme për të kompensuar avantazhin e dhënë nga subvencionet.
Tarifat janë vendosur duke llogaritur qarkullimin vjetor dhe subvencionet e marra nga secila kompani.
Kompania “SAIC” do të ketë tarifë 37.6 për qind, “Geely” do të ketë tarifë 19.9 për qind dhe “BYD” 17.4 për qind. Prodhues të tjerë Kinë që bashkëpunuan në hetim, por nuk janë marrë në mostër individualisht, duke përfshirë Teslam dhe BMW-në: 20 për qind. Prodhuesit e tjerë ë Kinë që nuk bashkëpunuan: 37.6 për qind.
Shtetet anëtare të BE-së do të votojnë pas dy javësh për këtë çështje, por nuk do të jetë detyrues dhe do të shërbejë për të testuar ujërat politike. Tarifat do të qëndrojnë në fuqi derisa të merret një vendim përfundimtar në katër muaj, të cilin vendet anëtare mund ta bllokojnë me shumicë.
Gjermania dhe Hungaria janë ndër ato që mund të kundërshtojnë, megjithëse mund të mos arrijnë numrat e kërkuar për të prishur iniciativën. (Të paktën 15 shtete anëtare.)
Ndërkohë, Brukseli dhe Pekini do të diskutojnë zgjidhjet e mundshme që mund të shmangin vendosjen e përhershme të tarifave.