Auto

Bien aksionet e Teslas pas paralajmërimit se shitjet do të jenë të ulëta

Aksionet e Teslas ranë për më shumë se 12% të enjten pasi paralajmëroi se rritja e shitjeve të saj do të ishte më e dobët këtë vit sesa në vitin 2023.

Kjo fshiu rreth 80 miliardë dollarë nga vlera në treg e aksioneve të kompanisë.

Prodhuesi i veturave elektrike, i cili udhëhiqet nga multi-miliarderi Elon Musk, tha se rritja e shitjeve të tij "mund të jetë dukshëm më e ulët" në vitin 2024, pavarësisht uljes së çmimeve, raportoi BBC. 

Kompania ka ulur çmimet në tregjet kryesore në botë, përfshirë në Evropë dhe Kinë, pasi përballet me garë të fortë nga rivalët kinezë si BYD, dhe prodhuesit e veturave tradicionale.

Kompania ka thënë se planifikon të fillojë prodhimin e një veture me kosto të ulët në gjysmën e dytë të vitit.

Aksionet e Teslas tani kanë humbur më shumë se një të katërtën e vlerës së tyre.