Prodhuesi kinez i veturave elektrike, Nio, do të lansojë vitin e ardhshëm një markë të re “të përballueshme” të quajtur Firefly, e cila do të fokusohet në tregjet evropiane.
Kjo markë do të prodhojë vetura të dimensioneve më të vogla si p.sh. VW Polo dhe do të arrijë në të njëjtën kohë me një markë tjetër të quajtur Alps, ka njoftuar presidenti i kompanisë Nio, Lihong Qin.
“Do të jenë vetura më të vogla, por me teknologji të avancuar”, ka thënë Qin.
Ai ka thënë se Firefly do të ketë modele që kushtojnë më pak se 25 mijë euro dhe do të konkurrojë me modele si Volkswagen ID.2 i, BYD Dolphin dhe Renault 5, shkruan Autocar.
Nio aktualisht po zhvillon version të ri të platformës së saj të karikimit të baterive për të punuar me markat e përqendruara në tregjet më të mëdha dhe marka e re do të ketë bateri 800 V që do të lejonte karikim më të shpejtë nëse ndërrimi i shpejtë i baterisë nuk është i mundur.
Nio aktualisht shet vetura në pesë tregje evropiane, duke përfshirë Gjermaninë.
Plani i ri do ta shihte Nion të konkurronte me markat premium të njohura si BMW, Mercedes dhe Audi, ndërsa me modelin Alps synon ta konkurrojë Teslan.