Hulumtimi austriak ka treguar se testet zyrtare laboratorike nënvlerësojnë në mënyrë dramatike emetimet e veturave hibride plug-in në krahasim me testet e “botës reale”.
Hulumtimi vë në pikëpyetje efikasitetin e automjeteve hibride plug-in, sepse testet e kryera në Universitetin e Grazit në Austri për nevojat e grupit “Transport & Mjedis”, i cili mbron transportin “e pastër”, zbulojnë një ndryshim të madh midis shifrave zyrtare të testeve të emetimit të WLTP dhe performancës aktuale, shkruan AutoExpress.
Tre vetura duke përfshirë BMW 330e xDrive, Peugeot 308 dhe Renault Megane E-Tech PHEV u testuan në tre rrugë publike. Pajisjet matëse të emetimeve regjistruan gazrat e shkarkimit për secilën prej tyre.
Ndërsa testet zyrtare laboratorike WLTP tregojnë emetime të CO2 të ciklit të kombinuar midis 27 dhe 37 g/km për veturat e testuara, testet e “botës reale” në përgjithësi regjistruan midis 85 dhe 114 g/km kur të gjitha veturat e nisën udhëtimin me një bateri plotësisht të mbushur. Kjo është një rritje trefish në krahasim me shifrat zyrtare.
Në një rrugë urbane, hibridet plug-in performuan më mirë kur niseshin me një bateri plotësisht të mbushur, por emetimet e përgjithshme ishin 1.2 deri në 1.3 herë më të larta se shifrat WLTP. Kur e njëjta rrugë drejtohej nga një veturë, bateria e së cilës nuk ishte karikuar më parë, emetimet ishin midis pesë dhe shtatë herë më të larta se WLTP.
Një raport i fushatës “Transport & Mjedis” thekson se hibridet plug-in nuk duhet të konsiderohen si automjete me emetim zero në zonat urbane dhe u bën thirrje rregullatorëve në të gjithë Evropën që t'i taksojnë këto automjete, duke përfshirë një taksë mbi emetimet aktuale dhe jo ato të regjistruara në testet zyrtare.