Arbëri

Zyrtarit policor që hetoi tenderët në KQZ i punësohet bashkëshortja në këtë institucion

KQZ

Me pakënaqësi të shumta është shoqëruar një proces rekrutimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në ankesën e njërit prej kandidatëve janë ngritur pretendime edhe për presion nga një zyrtar i Policisë që, sipas burimeve, ka hetuar disa tenderë të KQZ-së. Nëpërmjet konkursit KQZ-ja e ka pranuar në punë pikërisht bashkëshorten e këtij hetuesi

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) e ka punësuar bashkëshorten e një zyrtari policor, i cili, sipas burimeve të KOHËS, ka qenë i përfshirë në hetim të tenderëve të këtij institucioni.

Në një ankesë që kandidatja për t’u punësuar zyrtare në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) të Lipjanit, Kosovare Ibrahimi, e ka paraqitur në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës (KPM), e ka inkriminuar zyrtarin e Njësisë së krimeve ekonomike në Polici, Fidaim Bërbatovci. Ajo ka theksuar se ndërhyrja në konkurs është bërë nëpërmjet zëvendëskryeshefit të Sekretariatit të KQZ-së, Xhemajl Peqani.

“Burri i kandidates, i cili është zyrtar policor, pasi ka kuptuar se jam duke i ndjekur të gjitha procedurat e lartcekura ndaj këtij konkursi (përmes zëvendëskryeshefit të SKQZ-së), ka kontaktuar burrin tim më datën 12.4.2023 në Prishtinë. Gjatë bisedës me zëvendës/kryeshefin e SKQZ-së, ky i fundit ka përcjellë porositë e zyrtarit policor (bashkëshortit të kandidates) duke i thënë: ‘Të mos ankohemi se unë kam të njohshëm gjithkund dhe vetëm vonim, se shpëtim s’ka kjo punë’. Duke i bërë burrit tim presion që të tërhiqemi dhe që ta thërrasë zyrtarin policor me ia bo për hair”, shkruan në ankesën e Ibrahimit.

E kontaktuar nga KOHA, ajo ka refuzuar që të komentojë më shumë lidhur me rastin, duke shtuar se qëndron prapa atyre që i ka thënë në ankesë.

“Të gjitha shkeljet i kam përmendur në ankesë dhe nuk ka çka shtoj më shumë përtej tyre”, ka thënë ajo shkurt.

“Çka ke lypë me ardhë”

Veç presionit, Ibrahimi në ankesë ka pretenduar se nuk është vlerësuar në mënyrë meritore, se nuk i është ofruar qasje në dokumentacionin e kërkuar, si dhe ka pasur ndërhyrje në pjesën tek nënshkrimet në formularët të cilët nuk janë nënshkruar nga të gjithë anëtarët e komisionit. Sipas Ibrahimit, kundërkandidatja që është zgjedhur në këtë pozitë nuk i plotëson kriteret, meqë nuk ka përvojë pune në Sekretariatin e KQZ-së, si dhe gjithashtu nuk e ka përvojën e duhur profesionale.

Në ankesë ajo ka përmendur edhe pengesat që janë bërë nga zëvendëskryeshefi gjatë intervistimit.

“Gjatë procedurave të kontrollimit të testit në sallë ka hyrë zëvendëskryeshefi i SKQZ-së, i cili thotë: ‘Lirona sallën se kemi takim për strategji’. Në atë moment ka reaguar personi përgjegjës i zyrës së personelit, V.B., e cila ka thënë: ‘Zëvendës, prit se dhe kjo është e rëndësishme’, edhe anëtarja e komisionit V.K. ka reaguar duke thënë: ‘Gati jemi në përfundim’. Pastaj zëvendëskryeshefi i SKQZ-së ka ardhur për të më takuar dhe më ka thënë: ‘Çka ke lypë me ardhë’. I jam përgjigjur: ‘Kam ardhë me pa punën e juaj çka keni bërë’. Zëvendëskryeshefi i SKQZ-së më tha: ‘Jo unë, po komisioni’. Në atë moment ka ndërhyrë anëtarja e komisionit V.K., e cila tha: ‘Çka hyre në sallë zëvendëskryesues. Unë iu ktheva: ‘Me bo presion si atë ditë në intervistë me gojë, por zëvendësi e di që të gjitha ka me i cekë në ankesë’”, thuhet në ankesë.

Por zëvendëskryeshefi i KQZ-së i ka mohuar akuzat, duke thënë se kandidaten që është ankuar e ka familjare meqë vijnë nga i njëjti rajon.

“Ku e di unë kush u marrë me ato, çka po më intereson, ku e di edhe burrin e saj. Ku e di unë kandidatin, as nuk jam kanë në panel, as intervistë, nuk jam marrë me këtë farë filmi. Merret personeli me këtë punë”, ka theksuar Xhemajl Peqani, zëvendëskryeshef në KQZ-së.

Kryesues i panelit intervistues ka qenë drejtori i Departamentit të Koordinimit në Terren, Nexhmedin Hyseni, i cili ka kërkuar që pyetjet të adresohen në KQZ. Por, nga ky institucion kanë munguar përgjigjet.

Zyrtari i Policisë mohon akuzat

Zyrtari policor i Njësisë së krimeve ekonomike, Fidaim Bërbatovci, ka mohuar akuzat. Ndërkaq sqarimet rreth implikimit në hetimet e tenderëve të KQZ-së ka sugjeruar të kërkohen prej Policisë së Kosovës.

“Absolutisht nuk qëndron kjo. Ka kohë që nuk kam kontaktuar me atë djalë (zëvendëskryeshefin) dhe nuk qëndrojnë ato që janë thënë për mua. Meqë jam i kufizuar tek kjo përgjigje (hetimet në KQZ) pasi është çështje institucionale, do të ishte mirë t’i drejtoheni zyrës së mediave, eventualisht zyrës së Prokurorisë”, ka thënë Ibrahimi, i cili ka mohuar se ka ndonjë ndërlidhje mbyllja e hetimeve me punësimin e bashkëshortes në KQZ.

Policia e Kosovës prej dy javësh nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS rreth rastit. Inspektorati Policor (IPK) merret me hetimin e veprave penale të kryera nga punonjësit e Policisë, gjatë ushtrimit të detyrës ose jashtë saj. As në këtë institucion nuk kanë ofruar përgjigje nëse është duke u hetuar zyrtari policor, që përmendet në ankesë.

Ndërkaq në KPM kanë konfirmuar ankesat porse kanë shtuar se në këtë fazë nuk mund të japin sqarime. Sipas Këshillit, lidhur me këtë konkurs janë pranuar dy ankesa.

“Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, më datë 18 dhe 25 prill 2023, ka pranuar dy (2) ankesa përmes të cilave është kontestuar konkursi i zhvilluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mesin e ankuesve është edhe znj. Ibrahimi. Mirëpo, afati për vendimmarrje, sipas dispozitave të Ligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, është 45 ditë (me mundësi vazhdimi edhe për 10 ditë pune), nga rrjedh se jemi në fazën fillestare të procedimit të rastit, prandaj, lidhur me pyetjet tuaja sa u përket pretendimeve të palës paditëse nuk mund të deklarohemi pa pasur akt administrativ përfundimtar mbi bazën e të cilit vendoset meritorisht në këtë çështje administrative”, ka thënë Flakron Gashi nga ky Këshill.

Ligjshmëria e këtij konkursi është trajtuar edhe nga Auditori i Brendshëm i KQZ-së, Sylejman Gashi, porse ai ka refuzuar që t’i shpalosë gjetjet.

“Jam duke kryer punën e auditimit, por për informatën tuaj auditimi është proces. I nënshtrohet shqyrtimit të dëshmive të auditimit dhe diskutimit të gjetjeve me palët e audituara. Raportet e auditimit në momentin e diskutimit dhe shqyrtimit të tyre në Komitetin e Auditimit pronësia e tyre i kalon KQZ-së. Unë mbetem vetëm hartues i tij dhe përgjegjës për përmbajtjen e tij. Raportet e auditimit, njësoj sikurse dokumentet tjera, u nënshtrohen procedurave të njëjta të dhënies së tyre jashtë institucionit, nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente zyrtare”, ka theksuar Gashi.

Kurteshi flet për lidhje kriminale mes Sekretariatit dhe hetuesisë

E anëtarë të KQZ-së janë shfaqur të painformuar lidhur me pretendimet e ngritura rreth konkursit të fundit.

“Ç’është e vërteta, shumica e dokumenteve të kësaj natyre fshihen nga ne, sidomos nga ne përfaqësuesit e LVV-së në KQZ, në emër të ruajtjes së pavarësisë së punës së SKQZ-së nga KQZ-ja, për ta ruajtur KQZ-në nga politizimi. Dhe këtë e bëjnë kryesisht përfaqësuesit e PDK-së, shpesh edhe të LDK-së, kurse AAK-ja i përkrah me votë. Përveç këtyre lidhjeve të shkurtra, unë jo vetëm se besoj, por jam i bindur për lidhje të shkurtra kriminale midis drejtuesve kryesorë të SKQZ-së, policisë/hetuesisë dhe prokurorisë, e besa edhe të gjykatave”, ka potencuar anëtari i LVV-së në KQZ-së, Sami Kurteshi. “Për rastin e policit nuk jam i informuar, por do të kërkoj që të kem qasje në dosjen e rastit. Për raportin e Auditimit mund të them se nuk është përmendur me emër ky rast, por ekziston një raport i Auditorit të Brendshëm, të cilin e ka kërkuar z. K. Radoniqi, Kryesues i KQZ-së, pikërisht për shkak të dyshimeve të tilla e të ngjashme. Ky raport nuk është trajtuar nga Komiteti i Auditimit ende, i cili do të takohet kah fundi i javës së ardhshme dhe do të trajtojë edhe këtë raport”.

E anëtari i AAK-së në KQZ, Ibrahim Selmanaj, ka thënë se konkurset dhe hetimet nuk janë kompetencë e tyre.

“Nuk janë kompetencë e anëtarëve të KQZ-së konkurset ose saktësisht tema për të cilën më keni shkruar. Ju duhet te adresoheni tek kryeshefi ekzekutiv i KQZ-së. Hetuesia është e pavarur në punën dhe kompetencat e veta”, ka deklaruar ai.

Përfaqësuesit e PDK-së dhe LDK-së nuk kanë ofruar përgjigje lidhur me rastin.

Subjekt i organeve të hetuesisë kanë qenë disa tenderë të KQZ-së që ishin nënshkruar për llogari të zgjedhjeve të 14 shkurtit të 2021-s.

Së fundi prokuroria e shtetit ka konfirmuar mbylljen e hetimeve lidhur me aktivitetin e prokurimit për furnizim me dezinfektues në KQZ. Hetimet patën nisur pas raportimit të KOHËS se kompania kontraktuese ka realizuar furnizimin, duke i devijuar specifikat e përcaktuara në kontratë. Dezinfektuesi i kontraktuar me përmbajtje 70 për qind alkool ishte pranuar nga KQZ-ja me përmbajtje zero alkool.

Në përgjigjen e Prokurorisë, të publikuar në KOHA më 28 prill, thuhet se nuk janë gjetur prova të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës. Megjithëkëtë, shkeljet në kontratë ishin konstatuar edhe në një raport të Auditorit të Brendshëm, sipas të cilit në të gjitha fazat e implementimit ka pasur mospërputhje.

Përmes një përgjigjeje dërguar KOHËS më 28 prill, Prokuroria ka konfirmuar mbylljen e hetimeve, me arsyen se nuk janë gjetur prova të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës.