Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Bekim Hoxha, është poentuar më së larti nga Komisioni Shtetëror i Pranimit për ta udhëhequr këtë Agjenci, ani se një vendim i tij si ish-ushtrues i detyrës së sekretarit në Ministri të Bujqësisë i shkaktoi dëm buxhetit të shtetit mbi 15 mijë euro. Në 2022-n, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, pati shkelur një vendim të Qeverisë për t’i bërë favor Hoxhës
Bekim Hoxha është listuar i pari me pikë nga mesi i kandidatëve për ta udhëhequr Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës (AUV), ndonëse si ushtrues detyre i sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë, me anë të një vendimi ai e ka dëmtuar buxhetin e shtetit për më shumë se 15 mijë euro.
Njësia e Burimeve Njerëzore në këtë agjenci e ka përfshirë Hoxhën në listë të ngushtë, bashkë me katër kandidatë të tjerë. Ndërkaq këtë javë, Komisioni Shtetëror i Pranimit, pas testimit dhe intervistimit, e ka radhitur Hoxhën si më të mirin kandidat me 91 pikë, duke e lënë pas Festim Rexhepin me 84 pikë.
Emrat e këtyre dy kandidatëve fitues i janë dërguar ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, për rekomandim te Qeveria.
Ministria e Bujqësisë nuk ka kthyer përgjigje gjatë ditës në lidhje me këtë proces zgjedhjeje.
KOHA ka raportuar se në vitin 2020, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë, Hoxha e ka nënshkruar një kontratë për rinovimin e dy kateve në ndërtesën private, në të cilën është e akomoduar Ministria, pa pasur kontratë për shfrytëzim të njërit prej tyre. Më pas, Ministria ka refuzuar që t’ia paguante mjetet kompanisë që e kishte angazhuar për ta rinovuar atë kat. Kompania i ka kërkuar paratë me procedurë përmbarimi.
Lidhja e kësaj kontrate të nënshkruar nga Hoxha është hetuar nga Prokuroria Speciale dhe me një vendim të shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, në mars të këtij viti, është vendosur që Ministria t’ia paguajë kompanisë shumën prej mbi 15 mijë eurosh.
Pavarësisht nisjes së hetimeve, pak muaj pas, ministri Faton Peci e ka caktuar Hoxhën për zëvendëskryeshef të Agjencisë së Pyjeve.
Më 2022, në kundërshtim me vendimin e Qeverisë për përdorimin e veturave zyrtare, ministri Peci i pati lëshuar autorizim për një vit Hoxhës për përdorim të veturës, duke u justifikuar se ajo do t’i duhej për mbrojtjen dhe për parandalimin e prerjes së pyjeve. Pas raportimit të KOHËS, ministri e pati ndryshuar këtë vendim.