Vala e infeksioneve tek nxënësit e shkollave të Komunës së Gjakovës po vazhdon të ketë rritje.
Aktualisht në këtë komunë 6 shkolla po e organizojnë mësimin sipas skenarit C, në mësim online, ndërkohë që janë gjithsejtë 213 paralele që ndjekin këtë formë mësimi në gjithë komunën.
Në të njëjtën kohë janë 344 nxënës të infektuar me COVID-19 nëpër shkollat e komunës dhe 97 mësimdhënës.
Këto janë të dhënat që i ka bërë të ditura për KOHËN, Zymber Berisha, udhëheqës i sektorit të arsimit në Drejtorinë Komunale të Arsimit(DKA)në Gjakovë.
Ai si zyrtar i cili po merret tërë kohën me gjendjen e infektimeve nëpër shkolla, ka një ide për dalje nga kriza, që thotë se është personale.
"Druaj se nuk do të kemi rrugë tjetër pos mbylljes totale një javëshe apo 10 ditëshe të shkollave dhe vaksinimit masiv të nxënësve", është shprehur Berisha.
"Kjo do t'i ulte shifrat dhe do të sillte një stabilizim afatgjatë", ka shfaqur bindjen ai.
I njëjti ka thënë se situata aktuale i ka bindur për vaksinim shumë prindër që vetëm pak kohë më heret me shumicë e kundërshtonin vaksinimin e fëmijëve të tyre nxënës. Mësimi sipas skenarit C-mësim online, sipas zyrtarit Berisha vazhdon të jetë me shumë defekte, më kryesori shmangia e shumë nxënësve nga përfshirja në të.
Ndryshe në situatën aktuale interesimi i qytetarëve për testime rreth infektimit eventual me COVID-19, në Gjakovë ka shënuar rritje të madhe dhe ka sjellë tollovi në ambulancën e vjetër në këtë qytet.
Drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në Komunën e Gjakovës, Adelina Shehu-Kola ka bërë me dije për KOHËN se deri sot rendin në këtë ambulancë e ka mbajtur sigurimi i zakonshëm ndërsa nga sot është thirrë policia të mbaj rendin aty për shkak të tollovive të mëdha.
Shehu-Kola ka thënë se në Komunën e Gjakovës në situatën aktuale ka rritje të interesimit edhe për vaksinim kundër COVID-19.
"Ka një rritje të interesimit për dozën e parë të vaksinës anti-COVID, ndërkaq për dozën e tretë, apo atë përforcuese interesimi është trefishuar", ka thënë ajo.
Shehu-Kola ka tërhequr vëmendjen se stafi shëndetësor në Komunën e Gjakovës është në gatishmëri maksimale për përballje me sfidat që po sjellë pandemia COVID-19.
Ndryshe në Spitalin Rajonal të Gjakovës "Isa Grezda", të Gjakovës këtë të mërkurë sipas drejtorit Ardian Jusufi kanë qenë të shtrirë 15 pacientë me COVID-19, nga të cilët 7 në oksigjeno-terapi.
Ndërkohë sipas të dhënave të IKSHP-së, gjatë 24 orëve të fundit në Komunën e Gjakovës janë konfirmuar 223 raste infektimi me COVID-19.
fillimi i pandemisë ndërkaq në Gjakovë kanë rezultuar të infektuar me COVID-19, 9 mijë e 503 qytetarë, prej të cilëve 8 mijë e 17 qytetarë janë shëruar, ndërkaq 1 mijë e 486 raste mbesin aktive.