Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar të martën ndihmëssekretarin e Përgjithshëm për çështje politike dhe politikë të sigurisë të NATO-s, Boris Ruge.
Pas takimit, Osmani ka njoftuar se në takim ka theksuar mirënjohjen e Kosovës për kontributin e NATO-s dhe përkushtimin për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
“Kosova është e gatshme që t’i kontribuojë unitetit transatlantik në mbrojtje të vlerave të përbashkëta të paqes, demokracisë e lirisë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ndërkaq Ruge ka thënë se vendimet lidhur me urën mbi lumin Ibër duhet të vijnë përmes dialogut dhe në mënyrë të koordinuar.
“NATO-ja është krenare që ka ofruar mjedis të sigurt për të gjithë në Kosovë për 25 vjet. Sot me presidenten Vjosa Osmani kemi bërë një bilanc të asaj që është arritur. Në urën mbi Ibër, nënvizova pikëpamjen e NATO-s se vendimet duhet të vijnë përmes dialogut dhe në mënyrë të koordinuar”, ka shkruar ai në platformën “X”.
Takimi i Osmanit me Rugen ndodh në kohën kur ndërkombëtarët po kundërshtojnë një plan të Qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë për qarkullim të veturave. Mbi këtë urë kanë qëndruar në vazhdimësi forcat e Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR që ka vlerësuar se për të duhet të diskutohet në dialog.
Rohde: Stabiliteti nuk duhet të vihet në rrezik nga mosdialogimi
Ndërkohë, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka mbështetur deklaratat e ndihmëssekretarit të Përgjithshëm për çështje politike dhe politikë të sigurisë të NATO-s, Boris Ruge.
Ai ka thënë se stabiliteti nuk duhet të vihet në rrezik nga veprime të pakoordinuara ose mungesa e dialogut.
“Gjermania po e kryen pjesën e saj në mbështetjen e KFOR-it që nga fillimi, duke kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe të gjithë rajonin. Ky stabilitet i arritur nuk duhet të vihet në rrezik nga mungesa e dialogut ose veprimet e pakoordinuara”, ka shkruar ai në platformën X.